Xhamia e Ballies, ndër pesë objektet më të bukura të kultit në botë
Xhamia e Ballies, ndër pesë objektet më të bukura të kultit në botë

Xhamia e Ballies në Elbasan është përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, në finalen e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily.
Ky vlerësim është një arritje e jashtëzakonshme për arkitekturën shqiptare dhe veçanërisht për arkitekturën fetare në vendin tonë. Tashmë kjo xhami konkuron me katër ndërtesat e tjera nga Kina, Kanadaja, Bangladeshi dhe Kili.
Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje të re dhe të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin dhe vlerat kulturore, por edhe duke u përshtatur me kërkesat dhe estetikën bashkëkohore.
Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të lashta në Elbasan e cila u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit.
Sot xhamia e rindërtuar ka të përshtatur klasiken me modernen. Ka salla për abdesë, për faljen e grave dhe ambient për faljen e burrave. Kapaciteti është 1500 besimtarë vetëm brenda, por ka dhe hapësirë jashtë./atsh