Zaev: Presim informacione nga Armenia për diplomatin e arrestuar

–Çdokush duhet të përgjigjet nëse e ka thyer ligjin edhe në shtëpi, por edhe jashtë shtetit, kështu e komentoi kryeministri Zoran Zaev arrestimin e diplomatit maqedonas në Serbi, shkruan Alsat. Zaev theksoi se fillimisht duhet të marrin informacione nga Armenia se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, pas çka premtoi se do të infromojnë edhe publikun.
“Nuk duhet që askënd ta shpallim fajtor, derisa e njëjta nuk vërtetohet. Por pasi ka fletarrest ndërkombëtarë, kjo do të thotë se një shtet tashmë ka lëshuar akt juridik, në këtë rast Armenia…Bëhet fjalë për një shtet që nuk e njohim aq mirë, nuk është dikush nga fqinjët, nuk i dimë detajet. Unë për herë të parë kam dëgjuar se atje ka pasur pushtet që është ndërruar… pastaj ka pasur diçka me një vëlla të një ish presidenti apo ish kryeministri…me të vërtetë nuk jemi të njoftuar as ne politikanët”, tha Zaev.
Kreu i ekzekutivit tha se diplomati në fjalë është emëruar në kohën kur në pushtet ka qenë VMRO-DPMNE-ja, derisa premtoi se shteti do të mbroj të njëjtin derisa të vërtetohet se ka kryer vepër penale.
“E di që ky diplomat ka qenë shumë aktiv në kohën e VMRO-DPMNE-së, në kohën e Antonio Milloshovskit dhe Nikolla Popovskit si ministra. Atëherë ka qenë i emëruar në OSBE, në bazë të linjave të ndryshme. Por ja shohim se ka vazhduar punën. Fillimisht bëhet fjalë për qytetarë tonë. Në mënyrë absolute ne qëndrojmë pas çdo qytetari, derisa nuk na dorëzon dikush materiale që i njëjti ka bërë vepër penale jashtë vendit, në kundërshtim me ligjet në atë shtet”, pohoi kryeministri Zaev.
Ndryshe, diplomati maqedonas pranë OSSBE-së, Mile Milenkoski dyshohet se është arrestuar në Serbi me kërkesë të Interpolit austriak, pasi i njëjti ka qenë i përfshirë në transportin e një zyrtari armen, i cili me ndihmën e Millenkoski dhe dy diplomatëve tjerë maqedonas, përmes një avioni privat dhe duke shfrytëzuar kanale diplomatike ka arritur ta lëshojë Armeninë. Jozyrtarisht thuhet se diplomati Milenkovski ka lidhje farefisnore me ish shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov, i cili tashmë është dënuar për një sërë veprash penale, ndërkaq aktualisht është në paraburgim. Ndërkaq ditë më parë, ish kreu i diplomacisë maqedonae, zv/kryeministri aktual për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov mohoi të ketë vazhduar mandatin e diplomatit në fjalë, ndërkaq tha se nuk ka informacione si i njëjti ka vazhduar punën në Misionin e OSBE-së në Vjenë.