Zaev sqaron kërkesat e Bullgarisë: Të mos përzihemi në të drejtat e pakicave

Kryeministri Zoran Zaev përmendi disa nga çështjet të cilat Republika e Bullgarisë kërkon që Maqedonia e Veriut t’i zbatojë. Konkretisht ai thotë se kërkohet të hiqet termi “bullgar” përkrah termeve “okupatorët fashistë” në përmendore dhe në libra dhe të mos përzihen në të drejtat e pakicave. Bullgaria kërkon edhe angazhim institucional për mënjanimin e gjuhës së urrejtjes.
“E para, duhet të ketë notë diplomatike në të cilën do të shkruhet se emri i shkurtër është i njëjtë me emrin e gjatë, gjegjësisht se Maqedonia e Veriut është i njëjtë me Republika e Maqedonisë së Veriut dhe se nuk ka pretendime territoriale, se nuk përzihemi në punët e brendshme përfshirë edhe të drejtat e pakicave sepse ata janë qytetarë të Republikës së Bullgarisë. Çështja e tretë është që të reagojmë, siç reagojmë edhe tani, për parandalimin e gjuhës së urrejtjes. Një pjesë e madhe e përmendoreve që janë në Bullgari por edhe tek ne duhet të jenë në frymën miqësore. Fashizmi nuk guxon të ketë dimension etnik. Në përmendore të caktuara tek ne tashmë kjo është bërë. Ku shkruante “okupatori fashist bullgar”, shkruan vetëm “okupatori fashist” sepse nuk mund të fajësoni një popull për atë”, tha Zoran Zaev, kryeministër.