“Zbatimi i shqipes”, Dervishi: Mungesa e vullnetit të drejtuesve të institucioneve është problemi më i madh
Është koha e fundit që të gjitha institucionet në vend të vetëdijesohen dhe ta kenë të qartë se zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është obligim ligjor dhe nuk mbajnë arsyetimet për mungesë kuadri, kështu u shpreh gazetarja Fatlume Dervishi në “360 gradë”, që do të transmetohet sonte në Alsat. Sipas saj, 3 vjet pas miratimit të këtij Ligji nuk mund të flitet për shkaqet e moszbatimit të ligjit, por për mospasjen e vullnetit të drejtuesve të institucioneve përkatëse.
“Do të vazhdojmë të kontrollojmë të gjitha institucionet, shpresojmë që të mos flasim më për lëvizje të vogla, por shpresojmë që të vetëdijesohen edhe drejtuesit e institucioneve se bëhet fjalë për një të drejtë elementare të të gjithë qytetarëve. Që në momentin që një qytetar kërkon një shërbim, qoftë edhe shërbimin më të thjeshtë në gjuhën shqipe të mund ta marr atë edhe në gjuhën shqipe. Në qoftë se një qytetar drejtohet në një sportel, në gjuhën shqipe të mund të flas me personin që është aty kompetent të flas edhe në gjuhën shqipe, ose çfarëdo informacioni që të kërkoj në faqet elektronike të institucioneve të mund ta gjej edhe në gjuhën e tij amtare. Institucionet duhet të vetëdijesohen se kjo është një detyrim ligjor të cilin ato e kanë dhe që nuk ja vlen më që të arsyetohen me mungesën e kuadrit dhe të bëjnë përpjekje që të sigurojnë këtë kuadër. Për 3 vjet, që kur ligji është në fuqi dhe duhej të zbatohej plotësisht, kanë mundur të zgjidhin edhe problemin me kuadrin, mirëpo vijmë tek konstatimi që mungesa e vullnetit të drejtuesve të institucioneve në këtë rast është problemi më i madhe”, deklaroi fatlume Dervishi, gazetare. /Alsat.mk








