Zbulohet arsyeja përse Man. Junajtedi mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

Man. Junajtedi rrezikon të përjashtohet nga Liga e Kampionëve sezonin e ardhshëm edhe nëse vulos kualifikimin në këtë garë në fund të sezonit. UEFA nuk i lejon dy klube në pronësi të të njëjtit pronar të konkurrojnë në të njëjtën garë evropiane. Blerja prej 25 për qind e Si Xhim Ratklifit do të ratifikohet në ditët në vijim dhe britaniku zotëron tashmë edhe klubin francez, atë të Nicës.
Si Junajtedi ashtu edhe Nica janë në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi aktualisht renditen në pozitat gjashti dhe dy në ligat e tyre përkatëse. Megjithatë, rregulloret e UEFA-s thonë se vetëm skuadra me vendin më të lartë në ligat e tyre përkatëse do të lejohet të konkurrojë. Mënyra e vetme për të dyja ekipet për të luajtur futboll kontinental është nëse njëra kualifikohet në Ligën e Kampionëve dhe tjetra kualifikohet në Ligën e Evropës ose Ligën e Konferencës.
Junajtedi dhe Nica nuk janë klubet e vetme me këtë problem. Mançester Siti dhe Xhirona, Aston Villa dhe Vitoria de Guimaraesh, Brajtoni dhe Rojall Union Sent Zhill, gjithashtu mund të ‘dëbohen’ nga Liga e Kampionëve.