Zbulohet plani i Milanit për të arritur te mesfushori francez

Milani është gati ta rindërtojë repartin e mesfushës. Largimi i Tijjani Reijnders e shtyn klubin të ndërhyjë në merkato për të marrë një lojtar që mund t’i shërbejë Allegrit për sezonin e ardhshëm.
Angazhimi i Modriçit është pa dyshim një goditje e rëndësishme, por trajneri kuqezi është në kërkim të një profili që të mund të përshtatet me kroatin. Nëse ish-lojtari i Real Madridit është padyshim një futbollist shumë teknik dhe cilësor, përkrah tij nevojitet një mesfushor më fizik. Ky profil përputhet me Adrien Rabiot, të cilin trajneri livornez e ka pasur edhe te Juventusi.
Shitja e Reijnders te Man. Siti ka sjellë të ardhura të konsiderueshme për klubin kuqezi. Nga 72 milionë euro të përfituara, pjesa më e madhe do të ri-investohet në merkato. Mesfushori francez ka kontratë deri në vitin 2026 me marsejezët, kështu që çmimi i tij në merkato do të jetë më i ulët. Mund të mjaftojnë rreth 10.5 milionë euro për ta transferuar te “Djalli”.
Pengesa kryesore është paga e lojtarit francez. Në Marsejë, Rabiot fiton 3.5 milionë euro neto në sezon, që me bonuset e lehta për t’u arritur shkon rreth 6 milionë euro. Siç raporton edhe “Gazzetta dello Sport”, klubi kuqezi po punon mbi këto aspekte, megjithëse lojtari duket se ka dëshirë të ribashkohet me Massimiliano Allegrin.