Xhiroja e 10-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut do të mbyllet sot me derbin Shkëndija – Vardari që do të zhvillohet në Tetovë.
“Kuqezinjtë” e Jeton Beqirit, pas suksesit historik në Ligën e Konferencës, ku gjatë mesjavës morën fitoren e parë në një kompeticion europian, duke mundur Shelburnin në Shkup, rikthehen në kampionat për të vazhduar luftën për mbrojtjen e titullit.
Shkëndijën e pret një detyrë e vështirë, ku do të përballet me rivalin e vjetër dhe me çdo kusht do të kërkojë tre pikët.
Para kësaj sfide, nga tabori i skuadrës shqiptare ka folur Arbin Zejnullai, i cili mes tjerash është shprehur se derbit si kjo, nuk luhen, por fitohen.
“Normalisht, Shkëndija është e projektuar për kampion dhe në momentin që je e determinuar për kampion, në çdo ndeshje e ke për objektiv tre pikëshin. Nesër është derbi dhe derbit nuk luhen, por fitohen,” tha mes tjerash Zejnullai.
Dueli ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit do të zhvillohet sot (27 tetor 2025) në stadiumin e qytetit të Tetovës, duke nisur nga ora 13:30.








