Zelenski: Luftojmë për secilin metër

Zelenski: Luftojmë për secilin metër

Forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ashpër për të fituar kontrollin e Severodonjeckut, qytet në lindje të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se mbrojtësit e këtij shteti janë duke luftuar për “secilin metër” të qytetit, ndonëse rusët kanë shkatërruar një urë kyçe, duke pamundësuar ikjen potenciale të civilëve nga zonat e luftës.

“Qëllimi kyç i pushtuesve nuk ka ndryshuar. Ata janë duke rritur presionin në Severodonjeck, atje ka luftime të ashpra për secilin metër”. Ushtria ruse po përpiqet të vendosë forca rezervë në Donbas. Duket se ata do të përpiqen t’i fusin në betejë rekrutët të cilët nuk janë të trajnuar mirë. Gjeneralët rusë i shohin njerëzit e tyre thjesht si mish për top”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Pavarësisht rritjes së presionit, Zelenski tha se forcat ukrainase janë duke penguar trupat ushtarake ruse nga marrja e Donbasit.

Severodonjecku ka mbetur pikë kritike e luftimeve, të cilat sipas Kievit do të përcaktojnë rezultatin e luftës së paprovokuar që ka nisur Rusia në Ukrainë më 24 shkurt.

Ndërkohë sipas shërbimeve inteligjente perëndimore Rusia po mbetet pa armatim. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, ushtria ruse tashmë është duke përdorur raketa 5-tonëshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, pasi armatimet moderne, janë duke mbaruar. Por përdorimi i këtyre raketave konsiderohet tepër i rrezikshëm dhe që mund të shkaktojë dhjetëra viktima. Raketat e vjetruara Kh-22 nga vitet 1960 janë jashtëzakonisht të rrezikshme, pasi ato janë të pasakta dhe për këtë arsye mund të shkaktojnë dëme të rënda. Raporti nuk jep detaje se ku janë hedhur këto raketa gjigante, që mund të arrijnë një distancë deri në 1000 km./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button