“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, Mickoski kërkon takim me Kovaçevskin

Gazetar: Lluka Andreev
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka kërkuar takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, për tu marr vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan Alsat.
Deri në zgjedhjet e mundshme të kërkuara nga Mickoski, ai ofroi grupe punuese të ekspertëve nga partia që të bashkëpunojnë me qeverinë në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe politikës së jashtme, për të gjetur rrugëdalje nga kriza. Mickoski pret përgjigje nga Kovaçevski për ofertën në dhjetë ditët e ardhshme.
“Nuk është normale që kryeministri të mos komunikojë me kreun e partisë më të madhe politike. Nëse ai e refuzon këtë ofertë për takim për të gjetur rrugëdalje nga katastrofa kombëtare që po përjeton Maqedonia, VMRO-DPMNE do të mblidhet dhe më pas do të pasojnë hapa seriozë dhe të papraktikuar deri më tani. Nëse takimi refuzohet, kjo do të tregojë se shteti ka mungesë të ndonjë lidershipi dhe populli do të duhet të vijë në të vetën”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Për njëqind ditë të punës së kabinetit të Kovaçevskit, Mickoski vlerësoi se janë njëqind ditë rritje e varfërisë dhe inflacionit. Sipas tij, shteti është në prag të falimentimit dhe qeveria sërish merr hua për të mbuluar boshllëqet buxhetore të shkaktuara nga vjedhjet e zyrtarëve.
Ai gjithashtu akuzoi Kovaçevskin për tregtimin e identitetit me dyer të mbyllura në dialogun me Sofjen dhe theksoi se VMRO-DPMNE ka kushte që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës.
“Nëse ka hapje të Kushtetutës, akt që parasheh që një pjesë e popullit bullgar të përfshihet në preambulën e saj, VMRO-DPMNE nuk do, po e përsëris, nuk do e mbështesë pa garanci paraprake të shkruara për historinë tonë, gjuhën tonë maqedonase, pa fusnota artificiale, për veçantinë dhe diversitetin tonë kulturor. E përsëris, ne nuk do ta mbështesim këtë dhe kjo nuk do të kalojë”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sipas Mickoskit, Qeveria e udhëhequr nga Kovaçevski madje i rrit muret e ndarjes brenda shoqërisë dhe siç thotë ai, këtë e dëshmojnë debatet më të shpeshta publike për balancuesin dhe badinterin./Alsat.mk