Zgjedhjet lokale/ Ligji i ri i bllokuar në kuvend për shkak të Badenterit
Zgjedhjet lokale/ Ligji i ri i bllokuar në kuvend për shkak të Badenterit

Në prag të zgjedhjeve lokale, pushteti nuk ka arritur të zgjidhë akoma ngecjen e ligjit të ri për vetëqeverisje lokale. Propozimi ka mbetur në Kuvend, për shkak të mungesës së badenterit. Ministri Zllatko Perinski i bën thirrje opozitës së mbështesë ndryshimet.
“Ajo që është detyrë e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, ne e bëmë. Më lejoni edhe një herë të dërgoj apel deri te opozita e drejtuar nga BDI-ja dhe LSDM-ja t’i tejkalojnë egot e tyre dhe ta mbështesin këtë propozim-ligj sepse qytetarëve por edhe krerëve të komunave do t’ua hapë më shumë dyert sa i takon komunikimit me qytetarët dhe sigurisht e jep mekanizmin e shkarkimit me referendum të kryerit të komunës gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme të jetë si mundësi”, tha Zllatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Pavarësisht ngecjes së ligjit, partitë politike vazhdojnë përgatitjet për zgjedhje. Pikërisht Perinski ishte përfolur si ndër kandidatët e mundshëm për Qytetin e Shkupit por duket se në anketa prinë bashkë-partiaku i tij, Orce Gjeorgjievski.
“Jo vetëm për Orce Gjeorgjievskin por për cilindo kandidat që të mbështetet nga partia jonë, është para së gjithash nderë i madh dhe do ta ketë mbështetjen time të madhe jo vetëm në zbatimin e programit zgjedhor por edhe gjatë fushatës zgjedhore që na pret gjatë zgjedhjeve lokale”, tha Zllatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Propozim ligji i ri për vetëqeverisje lokale redukton pushtetin e krerëve të komunave, jep mundësinë e shkarkimit të tyre me referendum, parashikon qasje më të lehtë të publikut te seancat e këshillave komunal dhe krijimin e policisë komunale, për rend dhe higjienë publike. /Alsat.mk