Zgjedhjet në Kosovë, votohet në përfaqësitë diplomatike
Zgjedhjet në Kosovë, votohet në përfaqësitë diplomatike

Gazetare: Linda Ebibi
Shtetasit e Kosovës që jetojnë në diasporë votojnë në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Votimi zhvillohet në 16 ambasada dhe 14 konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Përqindja më e lartë e daljes në zgjedhje është në Ambasadën e Kosovës në Bern të Zvicrës, ku qytetarët prisnin në radhë për të votuar.
Radhë të gjata për të votuar janë vërejtur edhe në vende të tjera të Evropës.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit edhe ambasada e Kosovës në Shkup hapit dyert për votime.
Në mesin e ambasadave ku diaspora po shfrytëzon të drejtën e votës për zgjedhjet në Kosovë, është edhe ambasada e Kosovës te ne.
Në ambasadën e Kosovës në Shkup për të votuar janë regjistruar gjithsej 55 persona, ndërsa shumë qytetarë të tjerë do të udhëtojnë ditën e nesërme drejt Kosovës për të shfrytëzuar të drejtën e votës.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e mërgatës mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues. Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues. Ndërkaq, nga 9 janari e deri më 8 shkurt, mërgata ka mundur të votojë edhe përmes postës. KQZ ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës. Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidatë i pavarur. Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme./Alsat.mk