Zgjedhjet në Turqi: A do ta mbështesin kurdët Kilicdaroglun?

Zgjedhjet në Turqi: A do ta mbështesin kurdët Kilicdaroglun?

Në zgjedhjet presidenciale të majit votat e kurdëve janë vendimtare. Shumë janë kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Po a do ta mbështesin kurdët kandidatin e opozitës Kemal Kilicdaroglu?

Rreth 15 deri në 20 për qind e elektoratit në Turqi janë me origjinë kurde. Kjo i bën votat e kurdëve absolutisht të nevojshme për një fitore zgjedhore. Dhe edhe pse partia e tretë më e madhe në Turqi, Partia Demokratike e Popujve (HDP), e cila është pro-kurde, nuk është pjesë e koalicionit elektoral të opozitës prej gjashtë partish, ka sinjale se edhe kjo parti do të mbështesë Kemal Kilicdaroglun.

Qëndrimi i votuesve kurdë karakterizohet nga pragmatizmi dhe shumë kurdë duan ta heqin qafe qeverinë e Erdoganit, e cila i ka shtypur gjithnjë e më shumë prej vitesh. Kjo është edhe pika që i bashkon me koalicionin zgjedhor të opozitës, qëllimi i përbashkët i gjashtë partive përbërëse të tij është të parandalohet rizgjedhja e Erdoganit.

Kilicdaroglu i besueshëm për kurdët
Instituti për anketime Rawest është specializuar për situatën politike në zonat kurde. Në një intervistë për DW, drejtori i këtij instituti, Roj Girasun, theksoi se shumë kurdë tani e shohin Kemal Kilicdaroglun me simpati: “Votuesit kurdë mund të votojnë për Kilicdaroglun, sepse i tërheq politika e tij. Mund të themi se Kilicdaroglu është një person që kurdët do ta votonin me kënaqësi”.

Në sytë e shumë kurdëve, Kilicdaroglu është më i besueshëm se partia e tij, CHP, thekson Girasun. “Nëse ky besim kombinohet me elementët e tjerë të koalicionit prej gjashtë partive dhe me mbështetjen e HDP-së, Kilicdaroglu do të marrë mbështetje masive nga votuesit kurdë”.

Votim i dyfishtë
Më 14 maj votuesit në Turqi do të kenë në duar dy fleta votimi: njërën për të zgjedhur presidentin dhe një tjetër për parlamentin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018, HDP fitoi në Dijarbakir rreth 65.5 për qind të të gjitha votave.

Ekspertët vlerësojnë se shumica e votuesve kurdë do t’ia japë sërish votën e tyre të parë HDP-së. Kurse në fletën e votimit për presidentin e ardhshëm, shumica do ta vendosë kryqin tek emri i Kilicdaroglut./ DW

LEXO EDHE:

Back to top button