Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, Kristian Demokratët dhe Socialistët mbetën forcat mbizotëruese

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, Kristian Demokratët dhe Socialistët mbetën forcat mbizotëruese

Gazetare: Xhesika Sallahi

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, dy grupe pro-evropiane, Kristian Demokratët dhe Socialistët, mbetën forcat mbizotëruese në rezultatet paraprake. Fuqizimi i ekstremit të djathtë, dobësimi i Emmanuel Macron, e ardhmja jo e sigurt e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rënia e ambientalistëve gjerman dhe rritja e pjesëmarrjes në votime janë çështjet kryesore në këto zgjedhje. Nga rezultatet e para, Partia Pro Evropiane centriste e presidentit francez Emanuel Macron, me një rezultat prej gati 15% të votave. Macron shpalli zgjedhje të parakohshme.

“Kam vendosur t’ju kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare nëpërmjet një votimi. Prandaj po e shpërndaj Asamblenë Kombëtare. Unë do të nënshkruaj dekretin që kërkon zgjedhje legjislative, të cilat do të mbahen më 30 qershor për raundin e parë dhe më 7 korrik për të dytin”, deklaroi Emmanuel Macron, president i Francës.

Rezultat të dobët patën dhe partitë qeverisëse të Gjermanisë. Partia socialdemokrate e majtë e kancelarit Olaf Scholz, numëroi rreth 14% mbështetje, një rezultat ky me i dobët se në vitin 2019. Social Demokratët, ambientalistët e Gjelbër dhe demokratët e lirë pro-biznesit siguruan më pak se një të tretën e votave. Ata humbën rreth 20 vende dhe do të kenë pak më shumë se 50 eurodeputetë. Presidentja në largim e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se zgjedhjet dhanë mesazhin për rrugën që duhet ecur.

“Këto zgjedhje na kanë dhënë dy mesazhe. Së pari, mbetet një shumicë në qendër për një Evropë të fortë dhe kjo është vendimtare për stabilitetin. Me fjalë të tjera, qendra po mban por është gjithashtu e vërtetë se ekstremet në të majtë dhe në të djathtë kanë fituar mbështetje. Të gjithë duam një Evropë të fortë dhe efektive. Qëllimi im është të vazhdoj në këtë rrugë me ata që janë pro-evropian, pro-Ukrainës pro sundimit të ligjit dhe që nga nesër kjo punë fillon përsëri”, tha Ursula von der Leyen , presidente e Komisionit Evropian.

Partia e ekstremit të djathë, “Vëllezërit e Italisë” e kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni fitoi zgjedhjet evropiane me rreth 29% të votave, duke konsoliduar rolin e saj në Evropë. Partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis siguroi 28.31% të votave, duke fituar shtatë vende në Parlamentin Evropian. Fredi Beleri u rendit i katërti në listën e 7 deputetëve me më shumë vota. E djathta triumfoi edhe në Austri, Spanjë, Poloni, Bullgari e Hungari. Ndërkaq, Danimarka, Suedia, Finlanda, Belgjika, e Holanda renditen ndër vendet ku partitë e majta rezultuan fituese.

Rreth 51% e gati 400 milionë votuesve, nga 27 vendet e BE-së, votuan në këto zgjedhje evropiane. Analistët e vlerësojnë si një mesazh mjaft të mirë për demokracinë dhe legjitimitetin e Parlamentit Evropian. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button