Zgjerimi i shumicës, Kovaçevski: Dera e hapur për të gjitha partitë

Zgjerimi i shumicës, Kovaçevski: Dera e hapur për të gjitha partitë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Negociatat me Aleancën për Shqiptarët për zgjerimin e shumicës duket se janë në status quo. Palët akoma nuk pranojnë të kenë biseduar për ndarje resorësh dhe këmbëngulin se kanë biseduar vetëm për vlera e parime. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, me përgjigje identike prej disa ditësh.

“Të gjitha partitë politike të cilat i ndajnë vlerat e koalicionit tonë për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE për shkak të Alternativë tjetër nuk kemi, atëherë për parti të tilla politike normalisht se dera në qeveri është e hapur dhe mund të konfirmoj se për resorë konkret dhe marrjen e përgjegjësive për momentin nuk është biseduar duke pasur parasysh se negociatat zhvillohen në nivel të konceptit dhe vlerave politike”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Jozyrtarisht flitet se BDI-së i është kërkuar të heqë dorë nga një ose dy poste ministrash të cilat do t’i jepeshin ASH-së. Megjithatë këto zëra nuk i komenton as kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti.

“Në momentin që do të kemi më shumë informacion atëherë do ta ndajmë edhe me opinionin. Tani për tani ka pasur vetëm takime të fillimit, pa ndonjë epilog. Presim takimet e radhës. Nuk është biseduar për kërkesa konkrete. A është e gatshme BDI-ja t’i lëshojë ndonjë pozitë ministry ASH-së? Akoma nuk kemi hyrë të flasim për detaje”, u përgjigj Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Alsat jo zyrtarisht ka mësuar se në negociatat me ASH-në në lojë janë disa kombinime të cilat përfshijnë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Arsimit, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës si dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas burimeve të Alsat, LSDM-ja nuk ka ndërmend të lëshojë ministri të sajat. Në rast të dhënies së Drejtësisë, kërkon në këmbim Ekologjinë, që do të thotë se vend për Aleancën do të bëjë BDI-ja me 2 ministri që aktualisht drejtohen prej saj, dhe Alternativa, me një ministri nga radhët e saj. Deri dje përflitej edhe posti i zv/kryeministrit për çështje ekonomike, Bytyqi, por kjo duket e vështirë për LSDM-në, pasi Bytyqi mban edhe pozitën e nënkryetarit të LSDM-së, që është fija e fundit e konceptit “Shoqëri për të gjithë” me të cilët afroi shqiptarët rreth saj. Grupi i Zjarrit, nga ana tjetër, ka shprehur qëndrimin kundër përfshirjes së ASH-së në qeveri, pasi mendon se shumica është e qëndrueshme./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button