Zgjerimi s’do jetë në agjendën e samitit të BE-së

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk pritet të jetë temë e samitit të BE-së që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, ndërsa edhe në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme do të jetë vetëm si temë eventuale jashtë rendit të ditë. Presidenca gjermane e BE-së, e frustruar për shkak të mbylljes së kryesimit pa asnjë zgjerim. Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime diplomatike raporton se Gjermania drejton fajin tek Bullgaria dhe në mënyrë plotësuese tek agjenda e ngjeshur dhe dështimi në miratimin e kornizave negociuese. Burimet diplomatike kanë qartësuar se nuk pritet kthesë pozitive në momentin e fundit. Bullgaria vazhdon insistimin që obligimet e Maqedonisë së Veriut për të respektuar disa çështje historike, që Sofja i sheh si fakte, të jenë pjesë e kornizës negociuese të BE-së. Presidenti bullgar, Rumen Radev përsëriti qëndrimin se Bullgaria duhet mbroj qëndrimet e saja kundrejt gjenezës së retorikës anti-bullgare në Maqedoni të Veriut. Sipas tij, vendi meriton të jetë pjesë e BE-së, por pas marrëveshjes përmbajtjesore mbi pikat kontestuese historike.
Vëllezërit tanë maqedonas duhet të jenë pjesë e BE-së, por ai duhet të jetë një proces përmbajtjesore ku gjeneza e retorikës anti-bullgare, gjuha e urrejtjes, përfshi edhe njohjen objektive të vërtetës historike duhet të bëhen pjesë e procesit të pakthyeshëm. Në këtë pjesë, Bullgaria duhet t’i mbrojë qëndrimet e saja- deklaroi Rumen Radev, President i Bullgarisë.
Euroambasadori në Maqedoni të Veriut, Dejvid Gir ka deklaruar se ajo që duhet bërë tani është miratimi i kornizës negociuese për vendin tonë dhe të caktohet data sa më shpejtë e mundshme për konferencën e parë ndër-qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.
Konkluzionet e ministrave në Këshillin e BE-së kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjes, e si pasojë edhe Shqipëria do të mbetet jashtë agjende. Brukseli ka informuar se rendi i ditës për Samitin e radhës që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor është plotësuar, por nuk është e pamundur hapja e temës së zgjerimit në bllokun e pikave si “çështje të tjera”. Pas Gjermanisë, presidenca e BE-së i pason Portugalisë.
Adrian Kerimi