Zjarr në anën greke, MPB Maqedoni njofton se është mbyllur pika kufitare “Bogorodica”

Zjarr në anën greke, MPB Maqedoni njofton se është mbyllur pika kufitare “Bogorodica”

Zjarri në anën greke të pikës kufitare Bogorodicë ka shkaktuar radhë të gjata të makinave në këtë vendkalim. Kolona e makinave sipas dëshmitarëve gjatë ditës ishte deri në Gjevgjeli, ndërsa shumica u orientuan drejt pikës kufitare Dojran.

Zjarri shpërtheu vetëm disa metra nga kalimi kufitar Bogorodicë gjë që shkaktoi bllokadë të tërësishme të lëvizjes, ndërsa u evakuuan të punësuarit.

Në terren të parët mbërritën zjarrfikësit nga Gjevgjelia me qëllim të ndërhyrjes për të mos lejuar përhapjen e flakëve në kufirin tonë, ndërsa në pjesën greke në terren kishte 22 zjarrfikës me 10 automjete.

Nga MPB-ja e Maqedonisë njoftojnë se komunikacioni përmes kësaj pike kufitare aktualisht është i ndërprerë dhe po ndërmerren masa intensive për shuarjen e zjarrit.

“Pas shuarjes së tij do të mundësohet sërish lëvizja përmes kësaj pike kufitare. Apelojmë qytetarët të mos drejtohen në këtë vendkalim kufitar derisa të bëhet e ditur se zjarri është shuar dhe qarkullimi është normalizuar”, thuhet në njoftimin e MPB-së për qytetarët.

Ndërsa LAMM njoftoi se veturat janë duke u orientuar në pikën kufitare “Dojran”.

Mediat greke raportojnë se në shuarjen e këtij zjarri marrin pjesë 22 zjarrfikës dhe 10 automjete, si dhe edhe një helikopter, i cili e shuan zjarrin nga ajri.

LEXO EDHE:

Back to top button