Zjarrëfikësit luftojnë me zjarret me pajisje të vjetra mbi 4 dekada
Zjarrëfikësit luftojnë me zjarret me pajisje të vjetra mbi 4 dekada

Gazetar: Mefail Ismaili
Sezoni i zjarreve këtë vit ka filluar shumë më herët, ndërsa njësitet e zjarrfikësve i ka gjetur thuajse në gjendjen e njëjtë si vitin e kaluar.
Shefi i njësitit të Zjarrfikësve në Shkup, Zvonko Tomeski thotë se vazhdojnë të punojnë me kamionë të vjetër rreth 30 vite, të cilët vështirë riparohen, kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse por edhe numër të vogël të zjarrfikësve, shkruan Alsat.
“Momentalisht njësiti posedon 40 automjete zjarrfikëse, shumica e të cilave janë të prodhuara në Ish-Jugosllavi, nevojitet ndërrim urgjent i tyre sa më shpejtë që është e mundur, për shkak se për ato automjete është problem edhe të gjenden pjesë rezerve. Për momentin njësiti numëron 200 të punësuar, numri optimale duhet të jenë 384..”, tha Zvonko Tomeski, Njësiti i Zjarrfikësve – Shkup.
Nga Qyteti i Shkupit thonë se është paraparë furnizimi i njësitit zjarrfikës me pajisje kundër flakëve.
“Këtë vit parashikohet furnizimi i dy auto cisternave kundër zjarrit dhe një automjeti kundër zjarrit për në qytet. Për furnizimin e këtyre, këshilli i qytetit të Shkupit do të vendos në seancën e 31 marsit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Në gjendje të rëndë është edhe njësiti i zjarrfikësve në Kumanovë. Punohet me automjete mbi 40 vite të vjetra. Komuna thotë se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për kamion të rinj.
“Automjeti special me rezervuar prej 4-5 mijë litra ujë kushton nga 150 mijë deri në 500 mijë euro, varësisht nga teknika dhe pajisjet moderne që ka të montuara, ndërsa automjetet me shkallë të montuara hidraulike kushton mbi 500 mijë euro. Nëse këto fonde dalin nga buxheti lokal që është i ulët, atëherë nuk do u mbesin para për ndërtimin e infrastrukturës komunale”, u shpreh Maksim Dimistrievski, kryetar i Kumanovës.
Edhe zjarrfikësit e Tetovës luftën me flakët e zhvillojnë me pajisje të stërvjetra. Komuna thotë se është në kërkim të donacioneve, ndërsa një automjet e kanë siguruar në bashkëpunim me UNDP-në.
“Komuna e Tetovës është në kontakt të vazhdueshëm me bashkatdhetarë tanë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar zjarrfikësit me shumë pajisje për mbrojtjen nga zjarret”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Njësitë e zjarrfikësve në vend thonë se janë të fokusuar edhe në trajnimin e zjarrfikësve jashtë vendit për të marrë përvojat e duhura./ Alsat.mk