Zjarret në Havai, mbi 50 të vdekur
Zjarret në Havai, mbi 50 të vdekur

Zjarret pyjore në Maui të Havait i kanë lënë të vdekur të paktën 53 persona, dhe shifrat pritet të rriten, kanë thënë zyrtarët. Guvernatori Green ka thënë se zjarret e kanë shkrumbuar qytezën Lahaina, duke i lënë mijëra persona pa strehë mbi kokë. Si pasojë e kësaj katastrofe, që po konsiderohet më e keqja në historinë e vendit, besohet se janë rrafshuar 1.000 ndërtesa. “Do të duhen shumë vjet për ta rindërtuar Lahainan”, ka thënë Green, teksa zyrtarët kanë nisur të planifikojnë si t’i strehojnë personat që u janë djegur shtëpitë. Lahaina është destinacion i famshëm dhe vizitohet nga 2 milionë turistë në vit. Havai është duke u përballur me zjarre pyjore prej të martës, të nxitura nga erërat e fuqishme dhe thatësia e madhe. Autoritetet kanë nisur të ndajnë ndihma për të prekurit nga zjarret, ndërsa autoritetet amerikane në Kaliforni dhe Uashington i kanë nisur ekipet e tyre në Havai, për t’i rritur përpjekjet e kërkim-shpëtimit. /Alsat.mk