Zjarri i fuqishëm në periferi të Marsejës, mbi 100 të lënduar dhe qindra të evakuuar
Zjarri i fuqishëm në periferi të Marsejës, mbi 100 të lënduar dhe qindra të evakuuar

Rreth 110 persona kanë mbetur të lënduar lehtë si pasojë e një zjarri të furishëm që ka përfshirë periferinë e qytetit Marsejë, qyteti i dytë më i madh në Francë. Mes të lënduarve janë edhe nëntë zjarrfikës dhe 22 efektivë policie, konfirmoi Ministria e Brendshme franceze të martën në mbrëmje.
Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, deklaroi se në terren janë angazhuar rreth 800 zjarrfikës, dhe ndërhyrja për shuarjen e flakëve do të vazhdojë gjatë gjithë natës, pasi zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Kryetari i Bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, e përshkroi situatën si një “luftë guerile”, duke thënë se “batalioni i zjarrfikësve detarë po lufton me zorrët e ujit në duar”. Ai tha për televizionin BFMTV se në kulmin e saj, flaka përhapej me një shpejtësi prej 1.2 kilometrash në minutë, për shkak të erërave të forta, vegjetacionit të dendur dhe terrenit të pjerrët.
Të evakuuar dhe paralajmërime për banorët
Sipas mediave franceze, të paktën 400 persona janë evakuuar nga banesat e tyre, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të mos largohen përveç rasteve kur u jepet urdhër, për të mbajtur rrugët të lira për mjetet e emergjencës.
Zjarri shpërtheu të martën në zonën Pennes-Mirabeau, në veri të Marsejës, dhe deri më tani ka përfshirë rreth 700 hektarë. Autoritetet lokale kanë thënë se flakët nisën pas djegies së një automjeti në autostradë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ndodhej në një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, shprehu mbështetje për forcat zjarrfikëse dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë. “Mendimet tona janë me të plagosurit dhe të gjithë banorët,” shkroi ai në rrjetin social X.
Ministri Retailleau mbërriti në Marsejë të martën në mbrëmje për të takuar autoritetet lokale dhe për të ndjekur nga afër situatën.
Aeroporti i Marsejës rifillon pjesërisht operimin
Aeroporti Marseille Provence, i cili ishte mbyllur për disa orë që nga mesdita, njoftoi se do të rifillojë pjesërisht operimin nga ora 21:30. Presidenti i aeroportit, Julien Coffinier, tha se “nuk kishte përjetuar kurrë një situatë të kësaj shkalle”.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë shtylla të mëdha tymi mbi Marsejë, ndërsa zjarret vazhdojnë në zonat kodrinore në veri të qytetit. Sipas BFMTV, rajoni Bouches-du-Rhône nuk ka marrë asnjë pikë shiu që nga data 19 maj, gjë që ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Zjarre edhe në pjesë të tjera të Francës dhe Europës
Ndërkohë, një tjetër zjarr aktiv është raportuar pranë Narbonne, në jug të Francës, ku rreth 2,000 hektarë tokë janë përfshirë nga flakët, të favorizuara nga erëra që arrijnë deri në 60 km/h.
Situatë e ngjashme është raportuar edhe në rajonin Katalonia të Spanjës verilindore, ku mbi 18,000 persona janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të një zjarri të fuqishëm në Tarragona, që ka përfshirë gati 3,000 hektarë tokë. Në terren janë angazhuar 300 zjarrfikës dhe njësi të emergjencës.
Në Greqi, autoritetet raportojnë 41 vatra zjarri të hënën, nga të cilat 34 janë vendosur nën kontroll, ndërsa 7 mbetën aktive në mbrëmje.
Pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore dhe Jugore po përballet me një valë të fortë të nxehti në fillim të verës, e cila ka nxitur përhapjen e zjarreve dhe ka detyruar mijëra banorë të evakuohen.