Zjarri në qendrën e skijimit në Zvicër, ngjashëm me tragjedinë në Koçan
Zjarri në qendrën e skijimit në Zvicër, ngjashëm me tragjedinë në Koçan
Gazetar: Mihajllo Donev
Zjarri në barin në qendrën e skijimit në Zvicër, ku numri i viktimave ende nuk është përcaktuar, në shumë aspekte i ngjan tragjedisë së Koçanit që tronditi Maqedoninë vitin e kaluar. Bari “Constellation” ka filluar të digjet pas aktivizimit të mjeteve piroteknike, njësoj si në diskotekën e paligjshme “Puls”.
Zjarri që përfshiu diskotekën “Puls” mori gjithsej 63 jetë, ndërsa mbi 200 persona u lënduan. Jeta për familjet e viktimave nuk do të jetë më e njëjtë ndërsa organet hetimore të njëjtën ditë premtuan hetim të thellë, ndërsa shumë shpejt u mësua se objekti “Puls” funksiononte pa licencë të vlefshme dhe nuk i plotësonte kushtet themelore teknike për të punuar si diskotekë.
“Prokuroria Publike, pasi u njoftua, dhe unë personalisht, formuam një ekip. Unë formova një ekip prej 5 prokurorësh publikë, ku dy prokurorë janë nga Prokuroria Publike e Shkupit, një prokuror nga Prokuroria Publike e Shtipit dhe dy prokurorë nga Prokuroria Publike e Koçanit. Ka edhe një udhëheqës të ekipit”, Ljupço Kocevski, ish-prokuror publik i shtetit.
Ekipi i prokurorëve më pas u rrit në trembëdhjetë dhe tre muaj më vonë, hetimi kulmoi me aktakuzë ndaj 35 personave fizikë dhe 3 personave juridikë për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Gjyqi filloi më 22 tetor dhe gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievska u premtoi familjeve të viktimave proces gjyqësor transparent.
“Ne mund t’ju garantojmë, ky këshill, se do të jemi sa më transparent që të jetë e mundur, për gjithçka që do të ndodhë në publik do të informoheni, dhe do të ketë edhe gazetarë të cilët besoj se do të transmetojnë gjithçka. Gjithçka që mundet ky këshill do ta bëjë që ky proces të rrjedhë”, tha Dijana Gruevska Ilievska, gjyqtare.
Aktakuza përfshin dy ish-ministra të Ekonomisë, ish-kryetarë komunash dhe drejtorë të disa institucioneve shtetërore, ndërsa i akuzuari kryesor është pronari i diskotekës, Dejan Jovanov. Prindërit e viktimave organizuan një sërë protestash në Koçan, duke kërkuar drejtësi për të dashurit e tyre dhe disa herë protestuan edhe në Shkup.
Procesi gjyqësor është në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe do të vazhdojë më 14 janar. /Alsat.mk








