Zjarrvënia e disa ditëve me parë, policia arreston një 35 vjeçar nga Kumanova
Zjarrvënia e disa ditëve me parë, policia arreston një 35 vjeçar nga Kumanova

Gazetare: Ajnur Bafqari
Ky person në video është 35-vjeçari me inicialet F.A., i dyshuar për zjarrvënien e disa ditëve më parë në Kumanovë. Sipas pamjeve filmike që siguroi ALSAT, nga kamerat me qark të mbyllur, 35-vjeçari shihet teksa vrapon menjëherë pas aktit të vënies së zjarrit ndaj Zyrën për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përball Gjykatës Themelore në Kumanovë, nën emrin e Mentor Jakupit, vëllai i këshilltarit të BDI-së në Kuvendin Komunal të Kumanovës, Fitor Jakupi.
Disa metra më lart, përballë lokalitetit “Garnizon” ai i ka vënë flakën edhe makinës së prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Në fotografitë që siguroi Alsat nga vendi i ngjarjes, zjarri dukej se ishte vënë përmes shisheve me koktej molotov. Makina e Bajramit u dogj në oborrin e shtëpisë. Zjarri i ishte vënë edhe makinës së një koloneli me inicialet E.D, por që ishte përfshirë pak nga flakët, dhe pa shumë pasoja. Flaka i ishte vënë edhe një makine të llojit Audi e cila rezultonte në pronësi të Mentor Shahinit. Sipas dinamikës dhe të dhënave të para nga policia, zjarri mes tri makinave dhe objekti në pronësi të Mentor Jakupit ishte vënë në intervalin kohor të 30 minutave. ALSAT mëson se personi në fjalë është i njohur në qytet, dhe dyshohet jo vetëm si përdorues i narkotikëve por edhe me të meta mendore.
Pas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, 35-vjeçari është ndaluar nga njësiti policor për intervenim mbrëmjen e djeshme, në rajonin e Bit Pazarit në Shkup, falë masave për ndjekje dhe koordinim mes Sektorit për Punë të Brendshme të Kumanovës, Departamentit të Policisë Kriminale pranë Byrosë për Siguri Publike, si dhe Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. 35-vjeçari me inicialet F.A. po mbahet në Stacionin Policor Kumanovë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
Siç pranoi edhe më herët policia, paraprakisht mendohej për grup të organizuar, pasi në momentet e zjarrvënies, në asnjë prej vendeve ku ishte vënë zjarr, nuk kishin punuar kamerat e sigurisë. Madje, nuk ishte përjashtuar mundësia që i dyshuari të kishte përdorur edhe bllokues të kamerave, përkatësisht bllokues të internetit që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë. Nga të dhënat paraprake që ka siguruar ALSAT, 35-vjeçari me inicialet F.A. kishte njohje me të gjithë pronarët e dëmtuar nga vënia e zjarreve, por mbetet ende e paqartë nëse ai ka vepruar i vetëm, me dikë tjetër, apo nën porositjen e dikujt tjetri. /Alsat.mk