Zllatanovski i kthehet “zanatit” të vjetër?! / Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka vendim për kthimin e Zllatanovskit
Zllatanovski i kthehet “zanatit” të vjetër?! / Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka vendim për kthimin e Zllatanovskit

Gazetare: Ajnur Bafqari
Marjan Zllatanovski, njeriu që në vitin 2019 u kthye urgjentisht nga misioni ndërkombëtar në Bosnjë, pas dyshimeve për abuzim me pozitën zyrtare, pritet të rikthehet në një nga postet më të ndjeshme të sigurisë kombëtare- Zbulimi ushtarak. Burime konfidenciale të Alsat tregojnë se Zllatanovski i cili u kap me portale duke shpërndarë informacione që cenonin siguri kombëtare, mund të jetë pretendent për komandant i njësisë së Zbulimit Ushtarak në Kumanovë.
Burimet e Alsat kanë bërë të ditur se major Marjan Zllatanovski, i cili aktualisht është i angazhuar në Bazën Logjistike pranë Shtabit të Përgjithshëm është propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, për t’u rikthyer në pozicionin paraprak dhe sipas të njëjtave burime, vendimi pritet të bëhet publik më ditët në vazhdim. Por nga Ministria e Mbrojtjes hedhin poshtë këto zëra, duke i cilësuar ato si spekulime.
“Bëhet fjalë për spekulim të plotë. Ministri nuk e ka emëruar personin për të cilin pyesni në Drejtorinë për Siguri dhe Zbulim në Mbrojtje. Ai detyrat e tij i kryen në korniza të Armatës dhe është i vendosur në Shtabin e Përgjithshëm”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Marjan Zllatanovski, është emri që lidhet me dyshimet për menaxhimin e disa rrjeteve sociale dhe faqeve për lajme me qëllim përhapjen e lajmeve të rreme, urrejtjes ndëretnike, islamofobisë dhe manipulimin e opinionit publik. Të gjitha këto nën petkun e një uniforme shtetërore dhe me mbështetje brenda strukturave të ushtrisë dhe policisë. Në vitin 2019, Zllatanovski ishte kthyer para kohe nga një mision ndërkombëtar në Bosnjë, me urdhër të drejtpërdrejtë të ish Ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. Rastin, sipas burimeve, e kishte zbuluar një programer nga Belgjika, i quajtur Martin Shenko, dhe ishte raportuar menjëherë në institucionet kompetente të mbrojtjes. Për veprimet e tij ishin alarmuar edhe shërbimet inteligjente të vendeve miqësore të Maqedonisë së Veriut. /Alsat.mk