Zona industriale në Reçicë të Kumanovës, përplas pushtetin lokal dhe atë qendror

Zona industriale në Reçicë të Kumanovës, përplas pushtetin lokal dhe atë qendror

Gazetar: Adnan Qaili

Megjithëse për një dekadë u proklamua me pompozitet krijimi i një zone të re industriale në Kumanovë, akoma është larg plotësimit të të gjitha parcelave nga kompanitë private. Investitorë të huaj tek vonë janë interesuar për investime në këtë zonë, të quajtur “Novine-Reqica” që si duket mbeti peng nga mos funksionimi bashkëpunimit ndërmjet pushtetit qendror me atë lokal. Por ato kompani që janë, thonë se po kërkojnë të hapin punësime të reja si investitor vendas. Zhvillimin e zonës e ka Komuna Kumanovës.

“Tek ne paga mesatare është diku rreth 500 euro, që është minimalja e punëtoreve tanë dhe besoj se kemi nevojë për punësime të reja. Te ne ka kërkesa, mos të them se nuk kemi punëtor nga që shërbimet tona janë të mira dhe ka të interesuar të rrisim kapacitetet në kompaninë tonë”, tha Nazmi Ejupi, Sipërmarrës.

Por, zona Industriale e Kumanovës mbetet e lënë pas dore nga pushteti qendror, thonë nga Komuna e Kumanovës. Kreu i Komunës Maksim Dimitrievski tha se Qeveria ka premtuar shumë, por e ka lënë pas dore këtë zonë dhe vetëm pushteti lokal është përkushtuar që të tërheq investitorë të huaj gjigandë.

“Zona jonë industriale është zhvilluar nga Komuna me mjete të investuara nga Komuna dhe vetëm ne një pjesë të vogël investimesh nga Qeveria. Të mëdha ishin premtimet e Qeverisë për zhvillimin e kësaj zone ekonomike, por për fat të keq doli që të jetë ndihmesa modeste. Kemi një numër plotësues të parcelave të lira që për momentin diskutojmë me investitor potencial dhe një ditë do ti lëshojmë në ankand publik. Ajo që në të kaluarën pushteti qendror i ka shitur me 1 euro metrin katror, komuna në ankandin e fundit me procedurë transparente i ka shitur për 31,5 euro për metër katror”, deklaroi Maksim Dimitrievski, Kryetar i Komunës së Kumanovës.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike tha se shteti konform ligjit ka kontribuar në këtë zonë industriale. Fatmir Bytyqi tha se kanë lëshuar mjete dhe përmes Ligjit për mbështetje financiare.

“Kumanova si komunë ka vendosur që të ketë zonë industriale në në kompetencat e pushtetit lokal, në bazë të ligjit që i takon dhe në fakt është e pavarur. Por unë sapo jam në një kompani që përkrahet nga pushtetit qendror. Në këtë zonë industriale kemi edhe disa kompani tjera të cilat në fakt i kemi motivuar për të investuar në këtë zonë, pavarësisht se nuk është zonë e nivelit qendror”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Nga Qeveria thonë se janë ndarë 20 milion denarë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe kanalizimit si dhe kanalin e ujërave atmosferik për të krijuar kushte zhvillimore për biznes. Por, kjo zonë industriale “Novine-Reçica” me 60 hektarë tokë ndërtuese përgjatë korridorit 10 aktualisht ka të ndërtuara fabrika të numëruara në gishta dhe me pak të punësuar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button