“Zonja e Vjetër” në ndjekje të lojtarëve me parametra zero

Me ardhjen e “specialisit” të merkatos, Kristiano Xhuintoli, te “bardhezinjtë” e Juventusit, mënyra e transferimit të lojtarëve, te kësaj të fundit ka ndryshuar jo pak, teksa në fokus janë vënë lojtarët premtues, si dhe afrimi i lojtarëve pa kosto ose e thënë ndryshe me parametra zero.
Dhe së fundit “Zonja e Vjetër” është pranë sigurimit të një emri të njohur për sulmin. Bëhet fjalë për “fantazistin” brazilian, Felipe Anderson. Anësori 30-vjeçar i “shqiponjave” të Lacios, i cili nuk po gjen dot “gjuhën” e përbashkët me presidentin Lotito për të rinovuar kontratën e tij, ka përfunduar në “radarët” e Juventusit, me këta të fundit, që i kanë parashtruar një kontratë tejet fitimprurëse.
Plot 3.5 milionë euro në seozn, për 3 vitet e ardhshme. Kjo është oferta që “Zonja e Vjetër” ka gati për Felipe Anderson, me brazilianin, i cili siç theksuam tashmë ka 30 vite mbi supe e ndoshta ky mund të jetë shansi i tij i fundit, për të bërë një marrëveshje, të majme, si dhe me një klub të madh, në elitën e futbollit evropian, siç është edhe Juventus.
Vet autori i 55 gola e 63 asistimeve, në 306 përballjet me fanellën e Lacio e pëlqen këtë lëvizje, megjithatë nga ana e tij, Lotito nuk ka bërë ende një lëvizje konkrete për rinovimin e kontratës së Anderson. Nëse “numri 1” i “shqiponjave” barazon ofertën e “Zonjës së Vjetër”, nuk do të ishte çudi nëse braziliani qëndron në Romë. /abcneës.al/