Zvarritet nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë

Zvarritet nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë. Një muaj më parë vetëm një ekskavator është parë në teren por është bërë shumë pak punë. Autoritetet thonë se do të ndjekin dinamikën e punimeve.
“Ndodhemi në vendin ku rreth një muaj e gjysmë më parë filluan punimet për autostradën Shkup – Bllacë, por që atëherë e deri më tani, shihet se është bërë vetëm pastrim i pemëve dhe asgjë më tepër”.
Edhe pse punimet duhej të fillonin që në pranverë, në fakt në teren bëhen vetëm përgatitjet për fillimin e ndërtimit. Në shtator aktiv ishte një ekskavator i cili ka pastruar vetëm një pjesë të terrenit.
Punimet zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar dhe nuk ka vonesa në afate. Kryerësi është aktivizuar në punë më 20.07.2020, ndërsa afati i realizimit është 18 muaj nga fillimi i punimeve. Faza e parë pritet të përfundojë në suaza të afatit kohor të parashikuar në Marrëveshje, por duhet të merret parasysh edhe gjendja me Covid 19 – njoftojnë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
Ministri i Transportit Boçvarski kishte paralajmëruar se do ta ndjekë dinamikën e punimeve dhe nëse ka zvarritje do tu bëhet presion realizuesve.
Duhet ta ndjekim edhe dinamikën, e nëse ajo dinamikë është e ulët do të bëjmë presion që sa më shumë që është e mundur të zhbllokohet dhe të vazhdojë me ndërtim. Nëse ka ndonjë probleme institucional jemi këtu që ta zgjidhim, por nëse problemi është tek realizuesit e punëve gjithsesi ti shpejtojmë dhe ti kujtojmë për afatet, pasi mjete ka, ata mjete që janë duhet të realizohen – tha Bllagoja Boçvarski, Ministëri i Transportit dhe Lidhjeve.
Por tani nga Ministria e Transportit thonë se obligimet për realizim i përkasin Ndërmarrjes Publike për rrugë Shtetërore.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka lidhur marrëveshje për kryerës së punimeve, marrëveshja është lidhur nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe ata e ndjekin realizimin e marrëveshjes, obligimet e realizuesve dhe vëzhguesve – njoftojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Autostrada Bllacë-Shkup duhet të ndërtohet në dy faza. E para është e gjatë 2 kilometra dhe duhet të jetë gati për 18 muaj. Ndërsa seksioni i dytë, është i gjatë mbi 10.5 km dhe duhet të përfundojë për 36 muaj, respektivisht brenda vitit 2023. Vlera totale e autostradës Shkup-Bllacë prej 12.5 km parashihet të kushtojë 110 milion euro.
Mefail Ismaili