Zyba porosi trajnerit të Kosovës: T’i kthejnë sytë nga ne, jo vetëm nga ligat jashtë

Qëndrim Zyba ishte një ndër më të dalluarit në fushë në duelin Ballkani-Dinamo Zagreb, që u fitua 2-0 nga kampionët dardanë.
“Ndihem i emocionuar, sepse është një histori. Po bëjmë dita ditës më mirë në garat europiane. Nuk kam fjalë të përshkruaj emocionin që kam tani. Ndihem shumë i lumtur edhe me skuadrën, sepse kemi lojtarë me karakter shumë të fortë. Dhe potencial shumë të madh, që secili mund të arrijë në majat e futbollit.
Kosova?
Jo, nuk e di për ftesën. Unë bëj punën time, shpresoj dhe pres të marr ndonjë ftesë. Sepse edhe ne që jemi këtu në Kosovë, po bëjmë histori dhe po fitojmë ndeshje. T’i kthejnë sytë nga ne, jo vetëm nga ligat jashtë, sepse edhe ne po e prezantojmë mjaft mirë futbollin e Kosovës. Si sot që mundëm 2-0 Dinamon e Zagrebit
Patjetër që do të ishte plus nëse vesh fanellën e Kosovës, sepse të ndihmon edhe të bësh hap më të madh në karrierë. Është privilegj dhe krenari. E kam ëndërruar që nga fëmijëria që një ditë ta përfaqësoj shtetin tim”, u shpreh 22-vjeçari nga Theranda.