Zyrtare, Formula 1 do të zhvillohet në rrugët e Las Vegasit

Duke nisur nga viti 2023, Botërori i Formula 1, do të rikthehet në Las Vegas. Pas dy garave të këtij viti, në Ostin dhe Majami, do të zhvillohet edhe një garë e tretë, akoma edhe më spektakolare, në rrugët e Las Vegasit, duke e bërë Amerikën, vendin e parë që mirëpret 3 gara në një sezon.

Bëhet fjalë për një garë me drita, që do të zhvillohet në rrugët e qytetit të kazinove, përfshirë edhe rrugën e famshme “Strip”, ku makinat pritet të kapin shpejtësinë prej 340km/orë. Pista pritet të jetë e gjatë 6.1 kilometra dhe në total pilotët do të përshkuajnë 50 xhiro (14 kthesa). Te Formula 1, kjo garë shihet me shumë interesa, pasi bëhet fjalë për një pistë qytetase shumë të shpejtë, në qytetin e bixhozit.

Kjo nuk është hera e parë që Formula 1 zhvillohet në Las Vegas. Aty janë zhvilluar dy gara në vitet 1981 dhe 1982 dhe të dyja ishin vendimtare për përcaktimin e titullit kampion. Në vitin 1981 u shpall kampion braziliani Nelson Pike, ndërsa në vitin 1982 fitoi titullin Keke Rosberg, babai i Niko Rosbergut. /Telesport

LEXO EDHE:

Back to top button