Zyrtare, Goce Sedloski është trajner i ri i KF Vardar
Ish-kapiteni i Maqedonisë në futboll, Goce Sedloski, është pasardhësi i Srgjan Zaharievskit në pankinën e Vardarit dhe trajnerui I katërt i “kuqezinjëve” këtë sezon.
Ai rikthehet te Vardari pas shtatë vitesh pasi ishte në pankinën e Vardarit në periudhën 2015-2017 dhe me të fitoi dy tituj kampion. Më parë ka qenë drejtor sportiv në klub, ndërsa pas largimit ka drejtuar Rigën, Shiroki Brijegun, ekipin e dytë të Dinamos së Zagrebit, FC Shkupin, Vllazninë dhe Rabotniçkin. Sukseset e tij më të mëdha ishin ato me Vardarin, me të cilin luajti edhe në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Sedloski e merr Vardarin në momentin kur skuadra është në pozitën e fundit të tabelës dhe do të duhet ta shpëtojë nga rënia nga gara elitare. Sfidën e parë në pankinën e Vardarit do ta ketë këtë fundjavë ndaj ish-skuadrës së tij FC Shkupit, kur deri në fund të pjesës “vjeshtore” mbeten edhe pesë xhiro.
Kujtojmë se Vardari këtë sezon e nisi me Gorazd Mihailov në stol, pas tij ekipin për një periudhë të shkurtër e drejtoi Goran Petreski, ndërsa deri para dy ditësh në krye të stafit teknik të trajnerëve ishte Srgjan Zaharievski.