Zyrtare, Ole Gunar Solskjaer bëhet trajner i ri i Rashicës dhe Muçit

Ole Gunnar Solskjaer ka kompletuar kalimin e tij te Beshiktashi duke u emëruar trajner i ri i klubit turk. Trajneri holandez, Xhiovani Van Bronkhorst është shkarkuar nga Beshiktashi pas vetëm pesë muajsh në krye të gjigantit turk duke lënë për gati dy muaj vendin e lirë.
Megjithatë, kjo situatë nuk ka shkuar në pafundësi pasi Besiktasi ka reaguar duke arritur marrëveshje me trajnerin e ri, Solskjaer.
Solskjaer ka arritur tashmë në Stamboll dhe në Aeroportin “Ataturk” u prit nga drejtuesit Hakan Daltaban dhe Kaan Kasaci, si dhe antarja e bordit Merve Oztopaloglu.
Me të arritur në Stamboll, Solskjaer dha një intervistë të shkurtër për shtypin duke treguar se mezi pret t’ia fillojë punës.
“Jam shumë i kënaqur që jam këtu. Është e mrekullueshme të kesh kaq shumë njerëz këtu për këtë klub të madh. Kemi pasur takimet e para. Mezi pres të filloj punën time. Është fantastike të jesh në këtë qytet të mrekullueshëm”, deklaroi norvegjezi.
Ish-trajneri i Man. Junajtedi thuhet se ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2026, teksa aty do të takojë edhe dy futbollistët shqiptar, Milot Rashica dhe Ernest Muçi.