Zyrtarë të BDI-së ultimatum Ali Ahmetit

Zyrtarë të BDI-së ultimatum Ali Ahmetit

Nënkryetarë të BDI-së, deputetë, kryetarë komunash, kryetarë degësh e nëndegësh, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë partiakë kanë ngritur zërin, sipas tyre, për kthimin e Bashkimit Demokratik për Integrim në misionin e nisur 18 vite më parë.

Në një komunikatë, e cila mban firmat e 20 zyrtarëve e aktivistëve, në mesin e të cilëve edhe të nënkryetarëve të kësaj partie Izet Mexhiti, Nevzat Bejta, ish zv/kryeministrit Musa Xhaferi, krerëve të komunës së Sarajit Blerim Bexheti dhe Çairit Visar Ganiu, kritikohet mos themelimi i organeve statutare partiake që sipas tyre bllokon demokracinë në vendimmarrjen politike në këtë parti.

 Ultimatumi i zyrtarëve të BDI-së .

“Duke pasur parasysh gjendjen e krijuar organizative përbrenda BDI-së gjatë një periudhe 2 vjeçare, jemi të detyruar të ngremë zërin dhe të reagojmë që atë të cilën e kemi krijuar me mish e me shpirt, pra Bashkimin Demokratik për Integrim, ta kthejmë në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite- pra mirë të organizuar dhe mirë të strukturuar. BDI nuk është thjeshtë një parti politike, por është vlerë, e cila 18 vite ka ruajtur dhe ka avancuar të drejtat e shqiptarëve, një familje e hapur dhe me konsultime brenda përbrenda, pa privilegje individuale, me organe statutare dhe me rritje të vazhdueshme të trupit elektoral. Si të tillë duhet patjetër ta kthejmë aty ku e ka vendin,

Ne konstatojmë: 

Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake!

Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale!

Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake!”

 

Akuzat shkojnë më tej duke thënë se zgjedhjet kadrovike në BDI nuk janë më frymë e pasqyrimit të degëve dhe në përputhje me vlerat e partisë, por janë shndërruar privilegj vetëm i Artan Grubit, zv/kryeministrit aktual.

 

Ultimatumi i zyrtarëve të BDI-së

“-Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegj të individit Artan Grubi!

-Nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite!

-Për shkak të mosfunksionimit të jetës organizative të Bashkimit Demokratik për Integrim, ne konstatojmë se ka rënie të mbështetjes për partinë (zgjedhjet e fundit në Tetovë)!

-Sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve!

-Koncentrimi i pushtetit politik, programor e kadrovik te individi dhe përjashtimi i strukturave meritore nga vendimmarrja politike dhe tendenca për tjetërsimin e BDI-së, ka shkaktuar revoltë të anëtarësia më meritore për fitoret e BDI-së në të kaluarën.

20 të firmosurit i vendosin ultimatum kreut të BDI-së Ali Ahmeti që të nisë debatin politik brenda-partiak dhe të punojë në ruajtjen e unitetit.

Ultimatumi i zyrtarëve të BDI-së

“Pikërisht për këto arsye kërkojmë :

-Debat politik brenda partisë për tejkalimin e kësaj situate;

-Përgjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv;

-Apelojmë që të ndërpritet “lufta” politike brenda llojit;

-I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe strukturave partiake që të angazhohen në evitimin dhe tejkalimin e këtyre dukurive dhe të kësaj situate;

-Kërkojmë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak” 

Në ultimatumin drejtuar kreut të BDI-së, të parat qëndrojnë firmat e Mexhitit, Bejtës, Xhaferit, Bexhetit, Ganiut, më pas të deputetes Merita Kolçi Koxhaxhiku, kryetares së Forumit të Gruas Mukades Hajdari, zv/ministrit të Mbrojtjes Bashkim Hasani, kreut të BDI-së dega Çashkë Nafi Durmishi, anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm Haqim Ramadani, Muhamed Elmazi, Qamil Kovaçi, kryetarit të degës së BDI-së në Sopishtë Sunaj Latifi, kreut të degës së Karposhit Nehar Aliu, anëtarit të degës së Çairit Ejup Ademi, nënkryetarit të Forumit Rinor dhe kryetar i Këshillit të Çairit Jetmir Asani, kryetarit të degës së Sarajit Isni Jakupit, të degës Hasangeb-Gazi Babë Raman Aeti, sekretarit shtetëror Adnan Ejupi. Kujtojmë se këto zëra lindën disa vite më parë, dhe pavarësisht kohës që ky grup i kishte dhënë kreut të partisë, nuk pati asnjëherë llogaridhënie të zv kryeministrit dhe vetë BDI-së për punën e qeverisë, si dhe pavarësisht premtimeve, nuk u reformua dhe themelua asnjë organ partiak, që nga kryesia e ngushtë, ajo e gjerë dhe të tjera organe.

Nënkryetarë të BDI-së, deputetë, kryetarë komunash, kryetarë degësh e nëndegësh, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë partiak kanë ngritur zërin sipas tyre për kthimin e Bashkimit Demokratik për Integrim në misionin e nisur 18 vite më parë.

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button