Zyrtari i NATO’s: Qëndrimi i Serbisë ndaj Moskës mund të ndikojë në bashkëpunimin me NATO’n

Zyrtari i NATO’s: Qëndrimi i Serbisë ndaj Moskës mund të ndikojë në bashkëpunimin me NATO’n

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Colomina, tha sot në Beograd se refuzimi i autoriteteve serbe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë nuk ka ndikuar tani për tani në bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe aleancës, por se kjo mund të ndryshojë, raportoi e përditshmja serbe “Danas”

Në ditën e parë të vizitës së tij në Beograd, Colomina i tha agjencisë sebre të lajmeve “Beta” se qëndrimi i politikës së jashtme të Serbisë në kontekstin e luftës ruse kundër Ukrainës mund të reflektohet në bashkëpunimin e Beogradit me aleancën dhe shtoi se kjo do të varet nga sa kohë Serbia do të vazhdojë të balancojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë.

Colomina, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Sigurisë, tha se aleanca respekton zgjedhjet legjitime të politikës së jashtme të Serbisë, por se në rrethanat e luftës në Ukrainë, nuk është e lehtë për të të kuptojë mesazhet e Beogradit.

Si shembull ai përmendi mesazhet që dërgon Serbia kur voton kundër Moskës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së së bashku me vendet perëndimore dhe më pas nënshkruan me Rusinë një plan për konsultime ndërmjet ministrive të punëve të jashtme të dy vendeve për dy vitet e ardhshme, ose ajo që është ende ndër të paktat vende që kanë fluturime për në Moskë .

Ai tha se NATO deri më tani është munduar të ruajë nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit që ka me Serbinë, por se tani nuk është e lehtë të mbahet në të njëjtin nivel sepse disa anëtarë të aleancës kritikojnë marrëdhënie të tilla, duke pasur parasysh se Beogradi nuk e meriton nivelin e lartë ekzistues t[ dialogut politik për shkak të marrëdhënieve me Moskën..

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu tha se Serbia dhe aleanca kanë bashkëpunim të shkëlqyer, por se problemi është një narrativë e fortë kundër NATO-s në opinionin serb.

Ai theksoi se disponimi anti-NATO po nxitet përmes mediave dhe rrjeteve sociale dhe tha se në këtë po marrin pjesë edhe mediat e financuara nga shteti.

Mbështetja për NATO-n në Serbi ka rënë nga më shumë se 20 përqind në 4-5 përqind në 20 vitet e fundit dhe retorika kundër aleancës është rritur 800 përqind që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, shtoi ai.

Colomina tha se hendeku drastik që ekziston në Serbi ndërmjet bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh të dy palëve dhe mbështetjes publike për aleancën nuk ekziston në asnjë vend tjetër partner, edhe pse shumica e qytetarëve në to nuk janë pro NATO-s, përcjell Reporteri.net.

I pyetur për intensifikimin e armatimit të Serbisë në vitet e kaluara, Colomina tha se NATO nuk e ka problem që Serbia të investojë më shumë para në mbrojtje, sepse aleanca normalisht i inkurajon anëtarët e saj që ta bëjnë këtë.

Kolomina tha se Serbia në vitet e fundit ka blerë armë në mënyrë të barabartë nga partnerët perëndimorë, si dhe nga Rusia dhe Kina, edhe pse publiku serb ka një perceptim të ndryshëm.

Situaten në Kosovë, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, Colomina e vlerësoi si shumë shqetësuese dhe serioze dhe shtoi se misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet serbe.

Ai theksoi se KFOR-i ruan të njëjtin nivel të gatishmërisë dhe do të vazhdojë të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, dhe vuri në dukje nevojën që të dyja palët të tregojnë përmbajtje, të jenë konstruktive dhe të përkushtuara për dialog me ndërmjetësimin e BE-së.

Ai tha gjithashtu se dronët, të cilët janë vërejtur javën e kaluar mbi objektet e ushtrisë serbe, nuk janë dërguar nga NATO.

Ai tha se Ushtria Serbe është shumë profesionale, efikase dhe në përputhje me standardet e NATO-s dhe shtoi se bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe NATO-s, përveç atij ushtarak, ka edhe një aspekt shumë të zhvilluar civil.

Si shembull, ai tha se Serbia aktualisht është duke marrë pjesë në dhjetë projekte në kuadër të programit të NATO-s “Shkenca për paqe dhe siguri”, të nisur me qëllim të mbështetjes së bashkëpunimit shkencor civil.

Si synime të vizitës së tij në Beograd, ku po takohet me ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, Ivica Daçiç dhe Millosh Vuçeviç, Colomina renditi diskutimet për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon, përfshirë krizën në Kosovë, si dhe qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.

LEXO EDHE:

Back to top button