Hoti: Pavarësimi energjetik sukses i përbashkët i Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë

Prej sot Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovë do të funksionoj i pavarur, duke hapur kështu një histori të re si zonë rregulluese brenda bllokut Shqipëri-Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pavarësimin energjetik të Kosovës e vlerësoi si një sukses të madh për vendin.
“Kjo është një arritje e madhe, e cila ka ndodhur, pasi që KOSTT-i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe tani po operon i pavarur”, tha Kryeministri Hoti, ku shtoi se, nga sot është vënë në funksion edhe linja e re me Shqipërinë.
Ai nënvizoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për sektorin energjetik do të jetë maksimale, ngaqë stabiliteti energjetik është parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, për rritje të investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe në funksion të mirëqenies së qytetarëve.
Dalja e Kosovë nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.
Kryeshefi Ekzekutiv në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se nga viti 2008 e deri më 2019, shteti i Serbisë, sipas tij, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë euro.
“Në aspektin financiar apo komercial definohet dimensionimi i kapaciteteve energjetike brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, ku sipas kalkulimeve të dakorduara, kursimet do të jenë rreth 4 milionë euro në vit. Për Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST) përfitimet do të jenë 1.4 milionë euro, ndërkaq për KOSTT-në 2.6 milionë euro”, ka thënë Shala.