Hoti për viktimat e dhunës seksuale: Turpi është i atyre që kanë kryer krime
Jahjaga: Duhet të punojmë në largimin e stigmës tek të mbijetuarit e dhunës seksuale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dalë në mbështetje viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në vend. Kreu i qeverisë, gjatë tryezës mbi procesin dhe sfidat e njohjes së statusit të këtyre viktimave, i ka ftuar të njëjtit të aplikojnë të marrin statusin e viktimave të dhunës seksuale, derisa ka thënë se turpi nuk është i viktimave të krimit, po atyre që kanë kryer krimet.
Duke treguar mbështetjen qeveritare, Hoti tha se shuma financiare nuk është e mjaftueshme, por është dëshmi që shteti i Kosovës i njeh këto vuajtje dhe i respekton viktimat.
“Dua të siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës të mbështesë në mënyrë që viktimat të ndjejnë mbështetjen e tyre. Ne tani kemi vendosur strukturën e nevojshme institucionale me emërimin e komisionit qeveritar dhe me emërimin e sekretarisë që mbështet punën e komisionit dhe gjithashtu kemi ofruar mbështetje për punën e tyre. Krahas mbështetjes buxhetore të nevojshme dhe kompletimin e gjitha aktiviteteve të parapara nga ana e komisionit[…] Kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajës për të demaskuar dhunuesit dhe ditur të vërtetën dhe për ta bërë të njohur këtë të vërtet para botës së civilizuar. Unë sot i ftoj gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftojë gjithë shoqërinë tonë të mbështesin këtë proces. Turpi nuk është i viktimave të krimit, por atyre që kanë kryer këto krime”, tha ai.
Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi tha se përmes ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale do të gjykohen në mungesë gjithë ata që kanë bërë krime, përfshirë ata kanë ushtruar dhunë seksuale.
“Ministria e Drejtësisë me rastin e hartimit të legjislacionit të ri për gjyqësorin dhe prokurorinë, si dhe legjislacionin penal ka adresuar obligimet që rrjedhin nga ky plan i veprimit. Me theks të veçantë në draft kodin e procedurës penale është paraparë dispozita e gjykimit në mungesë me qëllim të mundësimit të hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës”, tha ai.
E ish presidentja, Atifete Jahjaga tha se vendi po hasë në vështirësi në rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale derisa edhe kërkoi angazhim për të larguar stigmën tek të njëjtit.
“Me gjithë përkushtimin e treguar deri më sot, ne fatkeqësisht po hasim ende vështirësi për t’iu mundësuar gjithë të mbijetuarave realizmin e plotë të këtyre të drejtave. E po ashtu për t’i fuqizuar ata edhe ato veçanërisht qasjen në drejtësi, e cila po e pengon edhe më tutje rehabilitimin, integrimin dhe ri integrimin e mëtutjeshëm të të gjithë të mbijetuarve. Një tjetër gjë që krahas këtyre dy aspekteve që duhet të punojmë është largimi i stigmës që fatkeqësisht po dominon”, tha ai.
E përkrahje ndërkombëtare premtoi për të mbijetuarit e dhunës seksuale premtoi zëvëndësambaasdori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jacob Webber, i cili tha edhe se duhet angazhim më i madh për trajtimin e nevojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
“Mbështetja e vazhdueshme për rehabilitimin e viktimave është i gjatë i ndjeshëm, për këtë kërkon që çdo kush të punojë së bashku…Kosova duhet të trajtojë nevojat e të mbijetuarve të mbështesë familjet dhe miqtë e tyre”, tha ai.
Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe personalitete të ndryshme që kërkuan mbështetje më të madhe institucionale karshi të mbijetuarve të dhunës seksuale.