“Mbi 700 njerëz çdo vit vdesin në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit”

Me rastin e Ditës botërore të habitatit, UN-Habitat Kosova, është mbajtur aktiviteti me temën ‘Përshpejtimi i veprimit urban për një botë pa karbon’.
Presidentja Vjosa Osmani tha se është koha e fundit që edhe Kosova të veprojë drejt një bote të çliruar nga karboni.
Presidentja Osmani tha se duhet punohet fort si nga shoqëria, ashtu edhe institucionet e vendit për largimin e karbonit.
“Për të pasur sukses në këtë drejtim, përveç vullnetit dhe buxhetit, duhet pasur edhe vizion për një të ardhme pa karbon”, tha ajo.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se derisa qytetet janë burimi kryesor i ndotjes, ato janë edhe bërthama zgjidhjes së këtij problemi.
“Është e domosdoshme që ne të marrim hapa konkret për të eliminuar ndotjen, pasi që është bërë shkaktar i vdekjeve të parakohshme në vend, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se shkaktarët e ndotjes mbeten ngrohja individuale, prodhimi i energjisë dhe transporti.
Derisa 53 përqind e ndotjes së vendit vjen nga amvisëritë familjare.
Sipas Kurtit, ngrohja globale dhe pabarazia shoqërore mbeten sfidat kryesore.
Omar Siddique, shef i Zyrës dhe këshilltar kryesor teknik në UN-Habitat Kosovë, theksoi se ndikimet e ndotjes së ajrit bien gjithmonë ndaj njerëzve, ku mbi 700 njerëz çdo vit vdesin në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit.
Ai theksoi se pasojat e ndotjes paraqesin rrezikshmëri të lartë edhe në sektorin e ushqimit dhe krijojnë pasiguri ekonomike.
Siddique tha po ashtu se çdo kompani duhet të ketë strategji zero emitime.
Ai ka kërkuar nga autoritetet e vendit që të angazhohen në ruajtjen e mjedisit dhe ambientit.
Ndërsa, tani në këto momente është duke u mbajtur panel diskutimi me temën se si mund të përshpejtojë Kosova veprimet urbane për një botë pa karbon, ku për diskutim është Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit dhe profesoresha e Menaxhimit të Mjedisit, Jelena Dokiq.