11 të arrestuar nga protesta, detajet nga ajo çka ndodhi mbrëmë

11 të arrestuar nga protesta, detajet nga ajo çka ndodhi mbrëmë

Gazetar: Adrian Kerimi

Policë të lënduar, dritare të thyera, rrethoja të shkatërruara dhe pronë shtetërore e demoluar është bilanci i protestave të mbrëmjes së kaluar, shkruan Alsat.

Protestuesit sulmuan forcat e rendit dhe objektin e Ministrisë së Jashtme, ndërsa para Kuvendit u përleshën me policinë intervenuese.

Dhuna për të cilën policia thotë se ishte e organizuar u nxit nga persona të maskuar të cilët ndërmerrnin akte dhune në mënyrë grupore. Përveç gjësendeve të forta, policia dhe institucionet shtetërore u sulmuan edhe me koktej molotovi. Në mesin e dhunuesve u pa edhe deputeti Dimitar Apasiev, duke gjuajtur me gurë godinën e Kuvendit.

Gjatë protestave u dëgjuan edhe thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve, ndërsa policia u akuzua si “shiptarska policia” apo polici shqiptare. Forcat e rendit nuk ndërhynë për gati 4 orë, ndërsa në disa raste u dëgjuan thirrjet e organizatorëve, që në mesin e tyre pretendohet të jetë edhe deputeti Apasiev derisa i kërkonte dhunuesve të sulmojnë Kuvendin dhe jo policinë.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në mëngjes vizitoi policët e lënduar. Dy prej tyre i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa gjendja shëndetësore e të tjerëve është stabile. Spasovski tha se të gjitha elementet dëshmojnë se ka dhunë të organizuar dhe sulm ndaj institucioneve të rëndësisë së veçantë shtetërore.

“Janë lënduar 47 policë nga sulmet vandale ndaj tyre dhe objekteve me rëndësi të veçantë shtetërore. Ky veprim i dhunës së organizuar paraqet rast dhe imazhe të njëjta si “27 prilli”. Rreth 30 njerëz me maska në fytyrë ishin kryefjala e sulmit ndaj policëve dhe institucioneve. Gjithsesi se qasja profesionale e policisë vërtetohet me ndërhyrjen e tyre vetëm ndaj elementëve që sulmonin policët. Nuk ka asnjë qytetar të lënduar nga ndërhyrja policore. Janë arrestuar ekskluzivisht vetëm personat të cilët sulmuan fizikisht dhe bën dëme materiale”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Policia arrestoi 11 persona, prej tyre dy minoren ndërsa gjatë ditës ka vazhduar identifikimi i personave të tjerë.

Burime brenda policisë bëjnë të ditur se është identifikuar edhe grupi i cili përgatiste koktej molotovi e cila ligjërisht paraqet armë zjarri guerile, ndërsa personi që e përdor atë llogaritet element i armatosur.

Pas arrestimit të disa protestuesve, në protestë u paraqit edhe një prift i cili i bëri thirrje policëve të lirojnë të ndaluarit duke ndërhyrë kështu drejtpërdrejtë në laicitetin e institucioneve shtetërore dhe punën e pavarur profesionale të forcave të rendit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button