Kurti lavdëron Policinë dhe AKI-në pas konfiskimit të arsenalit në veri: Parandaluam krime të mundshme

Kosova parandaloi sulme të mundshme me sekuestrimin e armëve në veri. Këtë e konfirmoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti ndërsa vlerësoi aksionin e policisë që gjeti mbi 70 armë, mijëra municione dhe kamuflazh ushtarak serb në 12 lokacione të ndryshme.

“Në këto tre vitet e fundit kemi aksione të shumta policore të cilët praktikisht po marrin armë në duart e atyre që ose janë kriminel ose në rastin më të mirë janë potencialisht kriminelë. Sepse armatimi ilegal me tyta të gjata, me gjithë atë municion nuk është për hajr, është veç për sherr. Pra jo vetëm që kemi konfiskuar armatim te atyre që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.

Sa i përket çështjes së hapjes së urës kryesore mbi Ibër, konfirmoi se do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve tregon që qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e sigurinë”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.

Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve. Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.
Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button