QMK: 11 vatra zjarri ende aktive në vend
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Disa ditë radhazi, ndër vatrat më të mëdha aktive vazhdon të jetë zjarri në zonën mes komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, ku zjarri përfshin hapësirën nga fshati Moranë duke vazhduar ne Vërtekicë dhe Ramni Gaber, me degëzime drejt Paligradit dhe mbi fshatin Vrazhallë ku po digjet pyll i përzier. Zjarre aktive vazhdon të ketë edhe në komunat Makedonski Brod, Kërçovë, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë, Zhelinë, Prilep dhe Strumicë, duke përfshirë pyje, bimësi të ulët, shkurre dhe mbetje bujqësore pas korrjeve.
Aktualisht janë nën kontroll 3 zjarre, të cilat gjenden në fshatin Çanishte në Komunën e Prilepit, në fshatin Nikushtak të komunës së Likovës dhe në fshatin Brodec të Tetovës.
Ndërkohe 3 zjarre janë shuar plotësisht, përfshirë zjarrin në Belushinë të Krushevës, në Stari Lozja të Kumanovës dhe në deponinë e Dellçevës.
Nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se zjarret në hapësira të hapura nuk paraqesin rrezik vetëm për mjedisin,, por edhe për shëndetin e qytetarëve.Ekspozimi ndaj tymit mund të shkaktojë kollë, irritim të rrugëve të frymëmarrjes,vështirësi në frymëmarrje dhe përkeqësim të gjendjes te personat që vuajnë nga astma apo sëmundje kronike të mushkërive. Ndikime mund të ketë edhe në sistemin kardiovaskular, duke rritur rrezikun për përkeqësimin e sëmundjeve ekzistuese të zemrës.Në rrezik më të madh janë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, por edhe zjarrfikësit dhe personat që punojnë në ambiente të hapura. Kushtet e thata dhe temperatura e larta vazhdojnë të mbeten faktorë që favorizojnë përhapjen e zjarreve, ndaj institucionet apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët./Alsat.mk.








