Mbi 310 mijë kundërvajtje të regjistruara nga sistemi “Qyteti i Sigurt“ që nga fillimi i funksionimit të tij
Mbi 310 mijë kundërvajtje janë regjistruar në sistemin “Qyteti i Sigurt“ që nga fillimi i funksionimit të tij, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas të dhënave të MPB-së, në periudhën nga 2 shkurti deri më 20 gusht 2026, sistemi ka evidentuar gjithsej 310.865 kundërvajtje. Prej tyre, 301.835 raste kanë të bëjnë me drejtimin e automjeteve me shpejtësi mbi shpejtësinë e lejuar. Një numër i konsiderueshëm i shkeljeve janë kryer nga automjete me targa të huaja. Nga fillimi i funksionimit të sistemit janë regjistruar gjithsej 180.378 kundërvajtje të tilla. Vetëm gjatë periudhës 19 – 20 gusht 2026, janë evidentuar 5.514 kundërvajtje nga automjete me targa të huaja. Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe uljen e rrezikut në rrugë./Alsat.mk.








