Banorët ankohen për ndotjen: “Po helmohemi”, zjarret e shpeshta rrezikojnë shëndetin e tyre nga deponia e Bukovës

Gazetar: Miki Trajkovski

Zjarri në deponinë e Ohrit në Bukovë, prej nga këto ditë përhapej erë e keqe dhe tym i dendur, ua bëri të pakëndshëm qëndrimin një numri të madh të turistëve, por edhe banorëve lokal, të cilët thonë se turizmi nuk zhvillohet në këtë mënyrë. Ata thonë se kanë qenë të detyruar t’i mbyllin dritaret dhe dyert, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit, kur era ishte më intensive.

Kishte erë shumë të keqe dhe nuk mund ta hapja derën e tarracës ku e kemi dhomën e gjumit, ndërsa tani është nxehtë.. Ky është problem, sepse ndodh shpesh. Mbrëmë ndihej shumë më tepër. Është material i tillë dhe mund të ndizet në çdo kohë“, tha një qytetar.

Po, ndihej pak tym, erë djegieje, squfuri. Unë jetoj te kazerma dhe jam më në periferi të qytetit, por ndihet veçanërisht në mëngjes. Shumë gjëra këtu janë të papranueshme, por kjo do të vazhdojë”, tha një qytetar tjetër.

Kjo duhet të zgjidhet, nuk është mirë, veçanërisht për ata që jetojnë më afër në rrethinë. Kjo ndikon edhe te turistët, do të thonë çfarë Ohri është ky. Ndikon negativisht, do të thonë mjedis i ndotur, erëra, tym“, u shpreh qytetari.

Më të prekur janë banorët e fshatrave të afërta me Bukovën. Thonë se kanë reaguar te të gjitha institucionet, por se askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Po mbytemi, ndërsa a e dini sa raste të vdekjeve ka nga ky tym? Kryesisht ne jemi njerëz më të moshuar, por ka edhe fëmijë të vegjël. Nuk e di çfarë mendojnë për këta njerëz këtu te ne. Ky është terrorizëm i vërtetë, kjo që po na bëjnë tani. Kush do të përgjigjet për këtë terrorizëm? Është turp që në shekullin XXI të digjen deponitë. Në afërsi të deponisë, as një kilometër e gjysmë larg, ndodhet ujësjellësi për Prespën. E gjithë Prespa pi ujë nga këto dy burime. Uji ndoshta tani nuk është i ndotur, por për një kohë të shkurtër do të ndotet edhe uji“, deklaroi Dimçe Ivanovski – banor i fshatit Krushe.

Nga „Higjiena komunale“ në Ohër thonë se zjarri në Bukovë është lokalizuar dhe se është punuar edhe për parandalimin e përhapjes.

“Gjithashtu, në deponi është bërë prerje me qëllim që të parandalohet përhapja e zjarrit drejt pjesës tjetër të deponisë. Në vazhdimësi sillen edhe sasi shtesë dheu, i cili përdoret për mbulimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, në pajtim me gjendjen në terren dhe nevojat e ndërhyrjes“, thanë nga “Higjiena Komunale”- Ohër.

Nga nisma qytetare „Lamtumirë Bukovë“ thonë se zgjidhja e vetme është ndërtimi i deponisë rajonale, e cila paralajmërohet tashmë prej disa vitesh.

Nga njëra anë mund të duket se punët janë zhbllokuar, por kjo është shumë larg ritmit të dëshiruar apo ritmit të nevojshëm. Ndërkohë, e shihni situatën në terren: gjithnjë e më shumë mbeturina, gjithnjë e më pak kapacitete për menaxhimin e tyre dhe deponi gjithnjë e më e stërmbushur. Mendojmë se ka përfunduar tenderi për kompaninë që do t’i bëjë analizat fillestare të Bukovës, në mënyrë që më pas të mund të shqyrtohet se si Bukova do të mbyllet dhe rehabilitohet“, theksoi Dragana Karashova – nisma qytetare „Lamtumirë Bukovë“.

Bukova dhe deponia pranë Strugës, me kërkesë të UNESCO-s, duhej të ishin mbyllur që në vitin 2020, por pavarësisht kësaj, atje vazhduan të grumbullohen sasi të mëdha mbeturinash./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button