12 të vdekur nga fundosja e dy anijeve me pasagjerë në Kolumbi

Të paktën 12 njerëz kanë vdekur, duke përfshirë shtatë fëmijë, pasi dy anije u fundosën afër një porti në bregdetin e Paqësorit të Kolumbisë, tha të dielën një zyrtar detar, duke shtuar se shkaqet e incidentit po hetoheshin.

“Anijet u fundosën të shtunën afër Tumaco, porti i dytë më i rëndësishëm në Paqësor i Kolumbisë”, tha për Reuters admirali Jose David Espitia, komandanti i forcës antidrogë Poseidon.

“Për fat të keq, ka 12 të vdekur. Ne kemi njësi të rojës bregdetare dhe fluturime me aeroplanë dhe helikopterë në zonë që kërkojnë për njerëz të tjerë,” shtoi ai, duke mos bërë të ditur se sa njerëz mbetën të zhdukur në det.

Të dy anijet u mbushën me pasagjerë kur u nisën nga Tumaco drejt San Jose del Guayabo, sipas zyrtarëve në zonë.

“Tani për tani, ne nuk e dimë se çfarë e shkaktoi incidentin, por askush nga viktimat nuk kishte xhaketa shpëtimi,” tha Espitia, duke shtuar se banorët lokalë dhe peshkatarët shpëtuan 36 pasagjerë.

LEXO EDHE:

Back to top button