14 raste të reja dhe 13 viktima nga Kovid-19 në 24 orët e fundit

Rënie drastike e rasteve të reja me koronavirus. Raporti javor i Institutit të Shëndetit Publik tregon se numri i infeksioneve javën e kaluar ka rënë për 45,3% krahasuar me një javë më herët. Gjegjësisht, nga 20.298 teste, 369 raste kanë rezultuar pozitive edhe atë nga 27 qytete të vendit. Rreth 50% e rasteve pozitive i përkasin kryeqytetit ndërkaq qyteti i Kratovës është radhitur i dyti për nga numri i rasteve pozitive, e që për momentin është i vetmi në zonën e kuqe nga të gjithë qytetet tjera të Maqedonisë.

Në shumë qytete të vendit tanimë ditë me radhë nuk raportohet për raste të reja në bazë ditore. Pesë qytete janë kategorizuar si zona të bardha, që nënkupton se nuk ka pasur raste aktive për një javë resht. Krahasuar me numrin e viktimave dhe rasteve të reja, numri i testimeve është rritur për 21%. Trendi i rënies së rasteve të reja po ndiqet dhe në Botë. Sipas OBSH-së javën e shkuar është shënuar rënie prej 12% e rasteve të reja pozitive ndërkaq numri I viktimave është rritur për 5%.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit vendi ka regjistruar 14 raste të reja, ku dhjetë prej tyre janë regjistruar në Shkup ndërkohë që katër të infektuarit tjerë janë regjistruar në katër qytete të ndryshme të vendit. Kumanovë, Kavadar, Resnjë, Makedonski Brod.

Pavarësisht rënies së dukshme të rasteve dhe viktimave, Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk është mbledhur as sot për të diskutuar mbi vlefshmërinë e masave restriktive kundër Kovid19. Masat restriktive vlejnë deri më 1 Qershor.

Ndërkohë procesi i vaksinimit vazhdon të rrjedhë. Deri më tash janë vaksinuar rreth 221.000 qytetarë ndërkaq rreth 180 mijë të tjerë janë paraqitur për tu vaksinuar.

Vjollca ALiti

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button