17 shoferë privohen nga liria për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e shtetit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria 17 shoferë për shkak të drejtimit të pakujdesshëm të automjeteve.

Prej tyre, gjashtë shoferë nga Kriva Pallanka, Kumanova, Dellçeva dhe Radovishi kanë drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit. Shoferi nga Radovishi ka shkaktuar edhe aksident trafiku, pas çka është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Tetë shoferë nga Shkupi, Dellçeva, Gjevgjelia, Bogdanci, Prilepi dhe Makedonski Brodi kanë drejtuar automjete pa poseduar patentë shoferi, ndërsa një shofer nga Koçani ka drejtuar automjet edhe përkundër ndalimit aktiv për drejtim”, njoftoi MPB.

Në Kavadar është privuar nga liria një shofer i cili drejtonte motoçikletë të paregjistruar dhe pa poseduar patentë shoferi, ndërsa në Demir Hisar është hasur një shofer që drejtonte automjet pa patentë shoferi dhe nën ndikimin e alkoolit.

MPB apelon që shoferët të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion, për rritjen e sigurisë në rrugë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button