Shkolla “Arseni Jovkov”, me klinikë juridike
Gazetare: Melihate Rustemi
Gjysmë-maturantët që do të regjistrohen në shkollën profesionale “Arseni Jovkov” për herë të parë do të kenë mundësi që pjesën e praktikës të lëndëve juridike ta kryejnë në shkollë. Mësimdhënësja, Besire Mjaki tha se praktika tashmë do të realizohet në Klinikën juridike ku nxënësit do të improvizojnë seancat gjyqësore dhe do të shohin nga afër procedurat e fillimit dhe përfundimit të seancave.
“Në këtë pjesë ato do të kenë mundësi që nga nisja e proces verbaleve, akteve, përpilimit të ftesave, aktgjykimeve dhe pastaj ankesat duke shkuar edhe deri tek shkalla e dytë të kenë mundësi ta shohin se si mund të bëhet një seancë gjyqësore. Që në të ardhmen këto nxënës të mos stagnojnë në pjesën e teorisë por të vazhdojnë në pjesën e praktikës”, tha Besire Mjaki, mësimdhënëse.
Gjatë kohës që Alsat qëndroi në këtë shkollë nxënësit improvizuan një pjesë të seancës gjyqësore. Siç thanë ata, Klinika juridike u jep mundësinë që për një moment të ndjehen juristë e gjykatës të vërtetë.
“Neve na është dhënë një mundësi e re, një mundësi plus për të fituar njohuri të reja ku do të kemi qasjet direkte në zgjidhjen e problemeve, çështjeve dhe përpilimin e akteve dhe të dokumenteve. Kjo do të na ndihmoj në të ardhmen, si jurist të ardhshëm që të kemi përvojë që nga hapat e parë dhe të mundemi ta kryejmë punën tonë në të ardhmen me plot vetëbesim dhe përkushtim të plotë”, u shpreh Alba Bushi, nxënëse.
“Është shumë ndjenjë e mirë kur e di që institucionin e ke vet në shkollë sepse vitet e kaluara ishte shumë e vështirë sepse disa nxënës nuk mund të siguroni institucionet sepse kishte shumë nxënës dhe ishin të mbushura numrat. Tani, duke na u mundësuar kjo klinikë ne do të kemi shumë më të lehtë sepse e kemi instituconin në shkollë”, tha Shqiponjë Abdullai, nxënëse.
Në shkollën profesionale “Arseni Jovkov” gjysmë-maturantët mund të konkurrojnë për drejtimet: Teknik ekonomik, Administrator biznesi dhe Teknik Juridik. Ministria e Arsimit tashmë ka hapur platformën e re për regjistrim online në shkolla të mesme ndërsa gjysmë-maturantët që kanë marrë dëftesën e klasës së nëntë mund të aplikojnë përmes faqes së internetit e-uslugi.mon.gov.mk duke përdorur llogaritë e tyre të krijuara në Schools.mk/ Alsat.mk








