Kampionët e Francës humbën 0-1 në kryeqytet përballë Olimpik Lionit, duke regjistruar disfatën e pestë në kampionat dhe të tetën në të gjithë kompeticionet gjatë këtij viti.
Kristof Galtier theksoi pas ndeshjes se skuadrës së tij i mungoi krenaria në takimin e zjarrtë të kampionatit francez. PSZH kryeson me 6 pikë mbi Marsejën pas javës së 29-të.
“Kjo ishte humbja e tetë për vitin 2023. Padyshim që është një shifër e madhe nëse bëhet fjalë për PSZH-në. Zhgënjim i madh pasi e nisëm mirë ndeshjen dhe krijuam raste të pastra shënimi. Na mungoi krenaria, ndërkohë që tifozët na mbështetën deri në sekondat e fundit.
Kemi nevojë për një takim sqarues me lojtarët, të gjithë bashkë duhet të marrim përgjegjësi. Disa lojtarë duhet të rikthehen në formën e tyre”, u shpreh trajneri i skuadrës kryeqytetase, që dështoi në Ligën e Kampionëve përball Bajern Munihut, duke u eliminuar në raundin e 1/8-ve.








