Me qeveri të zgjeruar s’ka kryeministër shqiptar

Me qeveri të zgjeruar s’ka kryeministër shqiptar

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja pret përgjigje nga LSDM-ja për ofertat që janë vënë në tavolinë një ditë më parë në takimin e liderëve, rreth ndryshimeve kushtetuese. Kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski i cili një ditë më parë takoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski, tha se nëse opsioni për qeveri të zgjeruar pa BDI-në pranohet, nuk do të ketë kryeministër të parë shqiptar sipas marrëveshjes LSDM-BDI.

“Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë nuk do të jetë kryeministër për shkak të marrëveshjes që e kanë bërë LSDM-ja dhe BDI-ja ose kushtimisht thënë shqiptar, por do të jetë kryeministër që e zgjedhin shumica e deputetëve në Kuvend,” tha Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Alsat drejtoi pyetje në BDI se çfarë do të ndodhë me premtimin për kryeministrin e parë shqiptar me mandat 100 ditor, në rast se pranohet opsioni i qeverisë së zgjeruar dhe në rast se partia e Ahmetit shkon në opozitë, siç kërkon Mickoski. Prej atje nuk morëm përgjigje. Nga BDI-ja një ditë më parë, duke ju përgjigjur shpejt Mickoskit, thanë se janë të gatshëm të dalin në opozitë në rast se Mickoski pranon të votohen ndryshimet kushtetuese.

Nga LSDM-ja thonë se do të preferonin që ky proces të ishte gjithpërfshirës. Ata janë të gatshëm që bisedimet me VMRO-në të vazhdojnë.

“Ideja që cilido qoftë të shkyçet nuk është ide e mirë. Ideja jonë është se si të përfshijmë dhe jo të largojmë dikë sepse mendoj se në atë rast hymë në një betejë të panevojshme edhe ndëretnike edhe ndërpartiake. Nuk besoj se është ky problemi dhe as zgjidhja. Shpresoj se VMRO-DPMNE-ja do të jetë e qartë në periudhën e ardhshme dhe të bëhet pjesë e kësaj beteje sepse gjithçka tjetër nënkupton një bllokim tjetër,” u shpreh Bojan Mariçiq.

Në takimin e liderëve Kovaçevski-Mickoski dje u dhanë disa ide, mes të cilave edhe ajo e qeverisë së zgjeruar për ndryshime kushtetuese dhe menjëherë pas saj zgjedhje të parakohshme. Mickoski këmbëngul për idenë e tij duke thënë se takimi konfirmoi se shumica nuk ka 80 deputetë për t’i bërë e vetme ndryshimet kushtetuese.

“Pranuam që ndryshimet kushtetuese të jenë efektive dhe pjesë e Kushtetutës atëherë kur Maqedonia të bëhet vend anëtar i BE-së. Deri atëherë të formojmë një qeveri të përkohshme pa pjesëmarrjen e BDI-së, me të gjitha partitë tjera politike për të cilat s’kemi asgjë kundër dhe është mirë që opozita e konsoliduar e partive politike shqiptare të jetë pjesë e asaj qeverie, të kenë edhe ata disa institucione që të kemi terren të barabartë të lojës me BDI-në në zgjedhje,” tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Liderët nuk i dhanë afat njëri-tjetrit deri kur mund të mendohen por procedura për ndryshimet kushtetuese në Kuvend pritet të fillojë brenda dhjetë ditëve të ardhshme. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button