30 ditë paraburgim për sigurimin e Mickoskit, i dyshuar për dhënie të sekretit zyrtar
30 ditë paraburgim për sigurimin e Mickoskit, i dyshuar për dhënie të sekretit zyrtar

Gazetar: Mihajllo Donev
30 ditë paraburgim për Angel Saramakov, anëtar i ekipit të sigurimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili dje u arrestua nën dyshimin për veprën penale “dhënie të sekretit zyrtar”. Prokuroria njoftoi se Saramakov tashmë është në paraburgim dhe kanë ndarë edhe detaje se si personi ka dashur të fitojë para duke i dorëzuar dokumentet zyrtare.
“I dyshuari në cilësinë e personit zyrtar, në mbrëmjen e datës 30.3.2025, në parkingun përballë një hoteli në Veles, është takuar me një person të pathirrur– dëshmitar në procedurë dhe i ka treguar dokumentet zyrtare të MPB-së, të cilat përbëjnë sekret zyrtar. Më pas e ka lejuar dëshmitarin t’i regjistronte të njëjtat dokumente, duke i treguar se cili dokument për çfarë është. Në këtë mënyrë, i dyshuari për lakmi, e me qëllim publikimin e tyre në rrjetet sociale, ka vënë në dispozicion dokumente zyrtare që përbëjnë sekret zyrtar, për të përfituar një shumë prej 50.000 eurosh nga personi të cilit i referoheshin dokumentet”, njoftojnë nga PTHP NKOK.
Drejtori i burgut në Shutkë konfirmoi për Alsat se Saramakovi është dërguar në mëngjes atje për të vuajtur dënimin e paraburgimit dhe sipas veprës penale për të cilën akuzohet, ai përballet me burgim prej më së paku një deri në maksimum 20 vjet. Pasi policia njoftoi mbrëmë se Saramakov ishte privuar nga liria, në publik shkruhej se kishte ndarë sekretet policore për klanin Gërçec, por prokuroria mohoi çdo lidhje me të apo dokumentet e këtij rasti me këtë klan. Angel Saramakov u punësua si pjesëtar i sigurimit të kryeministrit pas ndërrimit të qeverisë. Pas arrestimit të Saramakovit, qeveria theksoi se hetimi do t’i japë detajet për atë që ka ndodhur dhe se në këtë moment siguria e kryeministrit nuk është e rrezikuar. /Alsat.mk