30 vjet, asnjë grua në tre pozitat kyçe të shtetit

“Thelb ose dekor”, me këto fjalë fillon një kapitull i analizës së gjerë statistikore, botuar nga Fondacioni Vestminster për Demokraci, i cili i referohet pjesëmarrjes politike të grave në vend, shkruan ALSAT. Përfundimet thonë, ndër të tjera, se përfaqësimi i grave në politikë, edhe pse i promovuar, është relativisht i vogël. Maqedonia e Veriut 30 vjet pas pavarësisë, asnjëherë nuk ka zgjedhur një grua në krye të tre institucioneve kyçe në vend,  Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit.

Të kujtohemi.

Që nga pavarësia e vendit tonë, nuk ka pasur asnjë grua në vendin e parë në institucionin legjislativ,  por e as në vilën në Vodno. Ekzekutivi ka një përjashtim të vogël, respektivisht në periudhë një mujore, kur nga data 18 nëntor deri më 17 dhjetor të vitit 2004, si ushtruese detyre e kryeministre u emërua Radmilla Shekerinska. Që nga fillimi, që nga themelimi i Parlamentit të Maqedonisë (1991-2021), ka pasur vetëm disa nënkryetare: Renata Deskoska, LSDM, Suzana Saliu- BDI, Liljana Popovska- PLD dhe Svetllana Jakimovska, VMRO-DPMNE.

Sa i përket pushtetit ekzekutiv, asnjëherë vendi nuk ka emëruar grua kryeministre, ndërsa në qeverinë e parë (1991), nën udhëheqjen e Nikolla Klusevit, asnjë grua nuk është emëruar si ministre për ndonjë resor të caktuar.

Në qeverinë e dytë (1992) të udhëhequr nga Branko Crvenkovski (LSDM), Sofija Todorova u bë ministre e zhvillimit ndërsa Gordana Siljanovska ishte ministre pa portofol.

Edhe kabineti i tretë i Cërvenkovskit (1994), si kryeministër është identik – me vetëm dy gra: Emilija Simoska, ministre e Arsimit dhe Sofija Todorova, e cila nga zhvillimi, shkon në Ministrinë e Shkencës.

Në Qeverinë e Ljubço Georgievskit nga VMRO-DPMNE (1998), megjithatë, ka një ndryshim të rëndësishëm: Dosta Dimovska dhe Radmila Kiprijanova bëhen zëvendëskryeministre. Ministrja e Zhvillimit është Milijana Danevska, nga AD tek Vasil Tupurkovski, ndërsa ministre e Shkencës është Merie Rushani nga PDSH.

Dosta Dimovska në vitin 1999 mori postin e Ministres së Brendshme, ndërsa në 2001 ajo e humbi këtë pozitë, dhe pas disa muajsh ajo u kthye në pozitën e Zëvendëskryeministres.

Në vitin 2000, Ministria e Kulturës iu dha një gruaje, Ganka Samoilova-Cvetanovska.

Koalicioni i VMRO-DPMNE-së me LSDM-në (maj 2001) pas konfliktit e emëroi Ilinka Mitrevën për grua të parë ministre e punëve të jashtme.

Pas hapave të Georgievskit, Branko Crvenkovski në vitin 2002 vendosi të bëjë hapa të guximshëm, e emëroi Radmilla Sheqerinskën si zëvendëskryeministre për eurointegrime në qeveri dhe Ilinka Mitreva si ministre e jashtme.

Pasardhësi i tij, Hari Kostov (2004) i mabjti Sheqerinskën dhe Mitrevën dhe nuk emëroi gra tjera në Kabinet.

Kryeministri tjetër, Vllado Buçkovski në vitin 2004 bëri një hap para duke lënë Sheqerinskën dhe Mitrevën, por e emëroi Meri Mlladenovskën në pozitën e ministres së drejtësisë.

Qeverisja e Nikolla Gruevskit nga VMRO-DPMNE (2006-2016) u shënua me pozicionimin e një gruaje e cila 9 vjet nuk e ndryshoi pozitën e saj, Gordana Jankullovska, ministre e punëve të brendshme e cila qëndroi deri në vitin 2016 kur dha dorëheqje, pas incidentit në Lagjen e trimave në Kumanovë kur u vranë 8 polic.

Në këtë Qeveri të parë të Gruevskit (2006) pas hapave të Sheqerinskës, është emëruar grua si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane – ajo është Gabriela Konevska e vdekur para kohe. Pas vdekjes së saj, integrimet evropiane u bënë resor burrash.

Partneri i koalicionit PRSD i Tito Petkovskit e merr Ministrinë e Ekonomisë, ku është emëruar Vera Rafajlovska.

Në mandatin e dytë qeveritar (2008), Gruevski e emëroi Elizabeta Kançevskën si Ministre të Kulturës, e cila qëndroi në këtë pozitë deri në vitin 2017, e cila, pas Jankuloskës, bëhet pjesë e të gjitha qeverive të Gruevskit.

Koalicioni me BDI (2011), VMRO -DPMNE-në e detyron që përsëri t’ia kthejë postin e Zëvendëskryeministres një gruaje – Teuta Arifi merr këtë pozitë deri në vitin 2013. Jankuloska dhe Kançevska janë gratë e vetme që betonojnë këtë vendim.

Prandaj, kryesia e gruas së parë kryetare të Parlamentit të Maqedonisë, Kata Lahtova, mbetet një precedent. Ajo ishte Kryetare e Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë nga 28 Prill 1984 deri më 24 Prill 1985 dhe deri më tani ajo është gruaja e vetme që e ka kryesuar Kuvendin.

 

LEXO EDHE:

Back to top button