30 vjetori i pavarësisë, presidenti dhe ish presidentët kritikojnë shtetin

30 vjetori i pavarësisë Maqedoninë e Veriut e gjënë të polarizuar politikisht, të dobët ekonomikisht dhe të cenuar në aspektin kombëtar. Ky ishte konstatimi i presidentit dhe ish presidentëve në kuadër të simpoziumit shkencor për 30 vjetorin e pavarësisë. Presidenti Stevo Pendarovski theksoi se polarizimi politik duhet të merr fund me konsensus kombëtar, ndërsa gjeneratat e reja duhet përgatitur për zhvillimin bashkëkohor.

Asgjë nuk do të ketë efekt nëse nuk e zvogëlojmë polarizimin politik në vend ku fituesi i zgjedhjeve i favorizon anëtarët e tij, ndërsa i largon nga rrethi ata që nuk kanë votuar për të. Është e qartë se në këtë fazë pajtimi qytetarë është i pamundur. Por aktorët politik jemi të detyruar duke dhënë shembullin personal të kontribuojmë në de-eskalimin e tensioneve të cilat kanë paralizuar shtetin. Na duhet konsensus nacional dhe politik për zhvillim i cili do të mbështetet nga subjektet politike relevante në vazhdimësi – tha Stevo Pendarovski, president.

Ish presidenti Gjorge Ivanov konstatoi se 30 vjetori i pavarësisë Maqedoninë e Veriut e gjen si anëtare e 30 e NATO-së por edhe si pjesë e grupit të shteteve me regjim hibrid. Sipas tij mungesa e njerëzve të rinj dhe adekuat në shtet është shqetësuese.

Nevoja më e madhe në botë është nevoja për njerëz të cilët nuk mund të blihen ose të vjedhin, njerëz të pastër dhe të sinqertë në shpirt, ata të cilët nuk frikohen ta emërtojnë egon me emrin e vërtetë dhe njerëz të cilët do të rreshtohen në anën e të drejtës edhe kur duhet thyer ego. Sot Maqedonisë së Veriut më shumë se kurrë i nevojiten njerëz – u shpreh Gjorge Ivanov, ish president.

Ish kryeministri dhe ish presidenti, Branko Cërvenkovski duke folur për Marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë tha se e para ka zgjidhur një problem, ndërsa ajo me Sofjen ka krijuar probleme të reja. Sipas tij, niveli i korrupsionit është më i lartë se kurrë dhe tepër alarmant.

E para, Maqedonia është shtet i korruptuar, ku nuk ka barazi para ligjit, nuk ka drejtësi, nuk ka besim në gjyqësor, nuk ka treg të besueshëm ku sundon cilësia dhe jo mashtrimi. Në shtet të korruptuar nuk ka arsim, cilësi ku diplomat meritohen dhe nuk do të blihen. Në shtet të korruptuar nuk ka shëndetësi cilësore, administratë efikase dhe as besim elementar në institucione – deklaroi Branko Cërvenkovski, ish president.

Në kuadër të mbledhjes akademike u bisedua edhe për sfidën e ndryshimeve klimatike, zhvillimin teknologjik dhe menaxhimin efikas me pandeminë.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button