35 të akuzuar për krime lufte në Prekaz, aktakuza në mungesë

Gazetare: Lisa Alili

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me sulmin e forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kryeprokurori, Blerim Isufaj, tha se kjo është aktakuza e parë që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz. Sipas informacioneve të Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit për vrasjen e civilëve në Prekaz janë të gjallë.

“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen Jasharaj në Prekaz. Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë.” – Blerim Isufaj, Kryeprokuror.

Prokurori Valdet Gashi tha se 35 të akuzuarit mbanin pozita të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe. Ai tha se gjatë hetimeve është përcaktuar se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në sulm, pozicionet e tyre, aktivitetet e të pandehurve dhe arsenali i përdorur.

“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që të vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjen e datave 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në fshatin Prekaz i Poshtëm, më konkretisht në lagjen Jashari. Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.” – Valdet Gashi, Prokuror.

Prokurori Gashi tha se viktimat civile ishin banorë të lagjes së Jasharëve, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë vetëm për viktima nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit. Ai po ashtu sqaroi se numri i viktimave civile është 26, pasi në të nuk janë përfshirë personat që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Prekaz, në datat 5,6 dhe 7 forcat serbe i vranë 56 anëtarë të familjes së gjerë Jashari, shumica gra, fëmijë e pleq. Aty ranë edhe komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, me babain Shabanin e vëllanë, Hamzë, që rezistuan për tri ditë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button