Shtrenjtimi i transportit ndërurban rëndon studentët dhe punëtorët: Nuk përballojmë më shpenzimet

Gazetar: Avni Tahiri

Nëse një student i Kumanovës për të ardhur në Shkup me autobus vitin e kaluar ka paguar 170 denarë, tani paguan 200 denarë.  Linja nga Shkupi për në Tetovë, është shtrenjtuar akoma më shumë. Për një biletë, vetëm në një drejtim studentët duhet të ndajnë nga buxheti i tyre ditor 250 denarë. Nga 1 shtatori i këtij viti bileta mujore Tetovë – Shkup është rritur nga 5.500 në 6.500 denarë që paraqet një shpenzim shtesë prej 1.000 denarësh në muaj. Edhe për studentët nga qytetet e tjera, të cilët udhëtojnë më rrallë dhe janë të vendosur në banesa me qira, kjo ka ndikuar edhe më shumë në rritjen e shpenzimeve të tyre.

Sipas studentëve, pagat minimale të prindërve nuk mjaftojnë që të mbulojnë shpenzimet dhe duhet që edhe të studiojnë dhe të punojnë në të njëjtën kohë. E sa i përket shpenzimeve shtesë të biletave thonë se do të duhet të udhëtojnë vetëm një here në muaj për në qytetin nga vijnë.

“Shumë shtrenjte është gjithçka. Më e keqja që nuk mund të punosh dhe të studiosh në të njëjtën kohë. Ne jemi tre fëmijë dhe dy janë në Shkup ndërsa një është në shtëpi duhet për të dy të jepen para kurse prindërit marrin pagë minimale dhe nuk është siç duhet”.tha një studente.

“Realisht duhet të ketë lirime për studentët. Ja unë jam nga qytet tjetër por nuk kam pasur asnjëherë ndonjë lirim.”Patjetër duhet ndihmë nga shtëpia edhe pse edhe vetë punojmë por shumë është rëndë që edhe të studiosh edhe të punosh sigurisht nëse do të arrish diçka”.tha një studente.

“Unë mendoj se për studentët duhet të ketë udhëtim pa pagesë pasi ata janë e ardhmja e këtij shteti”.tha një student.

Përveç studentëve edhe punëtorët që udhëtojnë çdo ditë mes qyteteve për shkak të punës dhe detyrimeve të tjera, u kanë dërguar letër të hapur institucioneve, në të cilën alarmojnë se çmimet e transportit ndërurban po bëhen një barrë serioze për buxhetin familjar dhe kërkojnë rishikimin e mënyrës se si përcaktohen ato.

“Ne, qytetarët dhe punëtorët që udhëtojmë çdo ditë nga qytete të ndryshme për punë, arsim dhe obligime të tjera të nevojshme, ju bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve kompetente të ngrenë çështjen e çmimeve gjithnjë në rritje të transportit ndërurban dhe barrës së madhe që krijon për qytetarët dhe familjet. Kjo nuk është më vetëm çështje e biletës. Kjo është çështje e standardit jetësor, të drejtës së punës dhe arsimit dhe e zhvillimit të barabartë të qyteteve”.thuhet në Letrën e hapur nga qytetarë dhe punëtorë – përdorues të transportit ndërurban.

Në letrën e hapur kërkohet që të shqyrtohet dhe të arsyetohet publikisht rritja e çmimeve të transportit ndërurban, të bëhen transparente kriteret e përcaktimit të tyre dhe të kontrollohet respektimi i detyrimeve ligjore. Gjithashtu, kërkohet konkurrencë më e madhe në linjat ndërurbane, transport publik më i qasshëm dhe i përballueshëm, si dhe kompensim i drejtë i shpenzimeve reale të udhëtimit për dhe nga vendi i punës./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button